Nëse ka një person më misterioz krahasuar me të tjerët, që lidh botën e sportit anglez me Shqipërinë është pikërisht Charles Burgess Fry. Ai u lind më 25 prill të vitit 1872, në Croydon dhe ishte i biri i një nëpunësi civil. Pasi fitoi një bursë, Fry u arsimua në Repton School dhe pastaj në Wadham College, Oksford. Repton ka një traditë të hershme në futboll dhe Fry luajti për ekipin e futbollit U-16, në vitin e tij të parë, në moshën trembëdhjetë vjeçare.
Pasi fitoi një bursë të mëtejshme për të studiuar në Kolegjin Wadham të Oksfordit, ai u nderua me çmimin “Blue” (çmim që përdoret nga universitet) në disiplina të ndryshme si futboll, kriket dhe atletikë, por dështoi në sportin e regbit, për shkak të një dëmtimi. Fama e tij filloi të përhapej përtej Oksfordit.
Në moshën njëzetë vjeçare, revista Vanity Fair publikoi një karikaturë të tij, me komentin: “Nganjëherë njihet si” C.B “, por kohët e fundit është sugjeruar që ai duhet të quhet ‘Charles III’ “. C.B. hodhi hapat e parë në futboll, kur studionte në Repton. Ai më vonë u bashkua me klubin amator të Corinthians para se të nënshkruante për Southampton. Ai debutoi kundër Tottenham Hotspur në dhjetor të vitit 1900 dhe gjatë asaj periudhe shkëlqeu, duke u përzgjedhur nga kombëtarja e Anglisë vetëm disa muaj më vonë në një ndeshje kundër Irlandës. Sezonin e ardhshëm ai luajti për Southampton në finalen e FA Cup kundër Sheffield United.
Një atlet i shkëlqyer, CB në 1893 barazoi rekordin botëror në disiplinën e kërcimit së gjati, me një kërcim prej 23 ‘6½ “(7.17m). Por sporti ku ai do të kishte më shumë sukses ishte padyshim kriketi. Një goditës i shkëlqyer me dorën e djathtë, C. B. ishte kapiten i Sussex-it dhe i kombëtares së Anglisë. Anglia nuk humbi asnjë Test Match me C.B në krye.
Megjithatë, talentet e tij nuk ishin të kufizuara vetëm në fushën e sportit. C.B gjithashtu në vitin 1923 ishte kandidat i Partisë Liberale në qytetet e Brighton-it, Banbury-t dhe Oxford-it, por që nuk arriti të fitonte; ai ishte drejtor i një anijeje trajnimi, gazetar dhe zëdhënës i delegacionit indian në Ligën e Kombeve.
Lidhja me Shqipërinë – CB Fry mund të bëhej pjesë e rëndësishme e në historinë e Shqipërisë. Dhe kjo, sepse atij iu ofrua froni i “Tokës së shqiponjave”. Së pari, është thelbësore të dimë përse anglezit iu kërkua që të bëhej mbret i Shqipërisë. Kjo nuk kishte të bënte me faktin se shqiptarët e dashuronin kriketin, por në atë periudhë, kandidati fitues duhej të ishte një zotëri anglez me te ardhura vjetore prej 10,000 paundësh. Megjithëse duhet theksuar se vetë Fry nuk kishte këtë sasi të ardhurash, por shoku i tij i ngushtë nga India, Ranjitsinhji, ishte mjaft i pasur dhe i gatshëm për ta financuar atë. Qëllimi i gjithë kësaj, ishte se të ardhurat vjetore do të siguronin fondet e nevojshme për shpenzimet e oborrit mbretëror.
Shumë persona kanë dyshuar në vërtetësinë e përrallës së Fry-t lidhur me propozimin që atij iu bë për t’u ulur fronin shqiptar, duke pasur parasysh tendencën e sportistëve për të treguar përralla të pabesueshme dhe ekzotike. Sidoqoftë, duke lexuar autobiografinë e tij ndeshemi me paragrafin, në të cilin ai rrëfen për ofertën. Aty megjithëse nuk jep emra të saktë, tregohet se njeriu që i bëri ofertën ishte “kopja më e afërt e W. G. Grace, që kam parë ndonjëherë”. Ky detaj të shtyn të besosh historinë e Frit, duke qene se përfaqësuesi shqiptar në Gjenevë në kohën e propozimit nuk ishte tjetër përveçse Fan Noli, i cili me të vërtetë ka një ngjashmëri të habitshme me W. G. Grace. Ky mund të jetë një ekzagjerim i vogël, por është dëshmi e mjaftueshme.
Gjithsesi, le të supozojmë se Fry e pranon kërkesën e Nolit, për t’u bërë Mbret i Shqipërisë. Megjithatë, problemi qëndron diku tjetër. Megjithëse kombësia dhe trashëgimia e Fry si kampion i kriketit pa dyshim do të luanin një rol në ndikimin e marrëdhënieve të Britanisë me Shqipërinë, nuk ishte e mjaftueshme që Britania të investonte kapitalin e nevojshëm për të “përkrahur” Shqipërinë.
Do të duhej shumë më tepër kohë, përpjekje dhe kapital, që britanikët të ishin të gatshëm të shpenzonin në një rajon kaq të vogël dhe të parëndësishëm nga ana strategjike (për interesat britanike). Më së shumti, ndihma britanike ndoshta do të vinte në formën e kompanisë petro-kimike anglo-iraniane, ku do t’i ofrohej monopoli mbi furnizimet e naftës shqiptare për shkak të ndikimit të Fry-së (Zogu këmbënguli për këtë gjë, por ai u step tek oferta e ulët e APOC-it duke menduar se mund të fitonte më shumë dhe në këtë mënyrë të çlirohej nga ndikimi italian…)
Pra, duke përcaktuar se Fry është pothuajse i vetëm, me përjashtim të një oferte të mundshme nga APOC për furnizimet e pakta të naftës në Shqipëri, tani përballemi me problemin e vërtetë. Më së shumti, duke qenë se Fry ishte duke hyrë në një botë të re. Jo vetëm që ai nuk e fliste gjuhën, por ai po hynte në një situatë politike shumë komplekse dhe të përgjakshme. Shqipëria në atë kohë nuk kishte ekonomi të mirëfilltë dhe ishte shumë e fragmentuar në klane dhe me ndarje të thella kulturore. Duke supozuar vërtetësinë e shoqërimit të tij me Nolin, Fry do të kishte vështirësi të konsiderueshme që të mos konsiderohej nga njerëzit si kukull e Nolit. Gjithashtu, si një anglez, qëndrimet e tij e do ta vendosnin atë në anën të majtëve ekstremistë të Shqipërisë së 1920-ës, gjë e cila e kthente në një individ të papëlqyeshëm midis pronarëve të mëdhenj të tokave, nëse ai do të përpiqej të zbatonte ndonjë lloj reforme të tokës. Për më tepër, ekziston çështja e irredentizmit kosovar dhe shqiptar, e cila duhej trajtuar: cila do të ishte politika e tij në lidhje me pjesën e madhe të “Shqipërisë së Madhe” e cila ishte e pushtuar nga Jugosllavia / Greqia? Sido që të jetë, ai do të bënte armiq të fuqishëm.
Fry nuk kishte absolutisht asnjë përvojë në qeverisje, nuk kishte njohuri për vendin, për kulturën, ose politikën apo gjuhën e vendit. Për më tepër, Fry ka pak lidhje aktuale me vendin, përveç krenarisë. Nëse situata do të përkeqësohej, me shumë mundësi, ai nuk do të qëndronte në Shqipëri.
Pas mbërritjes ai ndoshta do të ngrinte oborrin e tij në Durrës dhe do të përpiqej të bashkonte të gjitha fraksionet e ndryshme për të krijuar një qeveri, të ndryshonte kushtetutën, etj. Euforia fillestare për një mbretëri dhe njohje të huaj, dhe një fushatë e mirë nga Noli ndoshta do të bënte që partia Vatra të fitonte vende të mjaftueshme në qeveri. Disa nga fraksionet konservatore madje mund të dilnin në mërgim. Me kalimin e kohës, mund të krijohej rezistencë ndaj agjendës liberale të Fry-t dhe Nolit, një revoltë që do t’i detyronte të largoheshin nga vendi, ose të mërgonin apo vriteshin. Por në varësi të asaj që do të vinte më pas , gjërat mund të ishin mjaft interesante.
Në fund, duhet të marrim parasysh qëndrimet e huaja, më së shumti ato të Italisë dhe Jugosllavisë, shtete që do të mbështesnin kandidatët e tyre për të qeverisur Shqipërinë dhe për të larguar Fry-n. Jugosllavia dëshironte ta mbante Shqipërinë nën tutelë dhe të shtypte çdo çështje lidhur me Kosovën. Nga ana tjetër Italia, dëshironte të siguronte një pikë strategjike në Ballkan.
Me agjendën e tij liberale, pamundësinë për të vendosur një politikë të brendshme e të jashtme të pavarur nga Fan Noli, mungesën e mbështetjes së huaj, dhe numri i madh i armiqve, shoqëruar me papërvojën e tij në politikë përfundimi do të ishte mjaft negativ për Fry. Sipas të gjitha gjasave, ai do të rrëzohej shpejt nga froni nga rivalë i Ahmed Zogu. Më e mira që mund t’i ndodhte, të largohej nga vendi gjallë.
Nëse Fry shpëtonte dhe kthehej në Britani, pas pjesëmarrjes së Italisë në Luftën e Dytë Botërore, ndoshta ai do të përdorej për të formuar një qeveri në mërgim, me Fan Noli-n për të inkurajuar rezistencën shqiptare.
A do të ishte më mirë Shqipëria ekonomikisht nën C.B Fry? Sigurisht, kjo nuk ka nevojë të thuhet. Shqipëria ka qenë një rast i “shportës ekonomike” gjatë periudhës së dy luftërave. Duke supozuar se Fry do vazhdonte të subvencionohej nga Ranjitsinhji gjatë sundimit të tij, të ardhurat vjetore prej 10,000 paund do të ishin të mirëpritura. Pyetja është se sa do të përdoreshin ato në mënyrë efektive? Korrupsioni ishte dhe mbetet një problem i madh në Shqipëri. Me Fry-n, duke mos ditur gjuhën dhe duke u mbështetur në përkthyes etj, dhe pa mbështetje të fortë (të tilla si fiset, etj.), do të ishte pothuajse e pamundur të godiste korrupsionin brenda burokracisë dhe qeverisë. Në këtë mënyrë një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave vjetore do të shkonin në xhepat e çdo njërit që do kishte mundësinë të arrinte tek ato të ardhura.
Duke i shtuar kësaj natyrën e brishtë të politikës shqiptare gjatë kësaj periudhe, ku ishin bërë përpjekje të shumta për të vrarë politikanët e kohës. (Mbreti Zog kishte pasur pak a shumë rreth 27 atentate gjatë karrierës e tij të shkurtër) dhe lidhjen e mundshme të Fry-t me Fan Nolin dhe partinë liberale Vatra. Megjithëse është e vërtetë se këta njerëz arritën të përmbysnin qeverinë konservatore më 1924, ata u rrëzuan nga pushteti dhe u larguan nga vendi 6 muaj më vonë, pasi u përpoqën të realizonin një seri reformash të gjithanshme. Esat Pasha, italianët dhe konservatorët e tjerë nuk do të ishin aspak të kënaqur. Mendrit Shehu