Verder Bremen edhe këtë sezon është në luftë për të siguruar mbijetesën në Bundesligë. Por në ndryshim nga një vit më parë, këtë herë i mungojnë edhe golat e asistet e Milot Rashicës. Futbollisti shqiptar nuk është më ai i mëparshmi, që me paraqitjet në fushën e lojës ishte një nga emrat më të përfolur në merkato.
Të njëjtin mendim ndan edhe analisti gjerman i futbollit, Ditmar Haman. Në një intervistë për “DeichStube”, ish-lojtari gjerman është shprehur se Rashica ka humbur diçka që nga momenti kur transferimi i tij dështoi. Gjithashtu Haman flet edhe për për Egeshtajn, një emër që shihej si talent, por tashmë që është në mes të 20-ave të tij nuk ka përmbushur pritshmëritë e patura për të.
“Rashica është “Dr. Jekyll dhe Z. Hyde“ i Verderit, sepse kurrë nuk e dini se çfarë do të merrni prej tij. Ai ka humbur diçka që nga lëvizja që u anulua. Nuk dua t’i mohoj vullnetin e tij, por ai nuk është i njëjti lojtar si më parë.
Egeshtajn? Një herë thashë që Egeshtajn ka gjëra të mëdha përpara, por as ai nuk është më 20 vjeç. Tani unë pres që ai të shkojë përpara. Pjesa më e keqe është kur jeni në mes të të 20-ave dhe njerëzit ende flasin për një talent. Ai duhet të ndërmarrë hapin tjetër“, ka thënë Ditmar Haman./Halit Delibashi-Sport Ekspres/