Rikthim ëndrrash për Frenk Lampard në “Stemford Brixh”, ku do të përballet me Çelsin, në turin e katërt të Kupës së Ligës në Angli. Pas fitores së bujshme ndaj Mançester Junajtid, ku mposhti ish-trajnerin e tij, Zhoze Murinjo, drejtuesi i stolit të Derbi Kauntit tani do të ketë përballë edhe ish-ekipin e zemrës.
Në karrierën si futbollist, Lampard kaloi plot 13 sezone në “Stemford Brixh”, ku ishte lideri i padiskutueshëm i mesfushës, por edhe një prej shtyllave më të rëndësishme të skuadrës. Fakti që do të përballet me Çelsin dhe përpara ish-tifozëve të tij do të jetë mjaft emocionues, por edhe një stimul për të dhuruar një tjetër befasi.
Mançester Siti, kampionia në fuqi e këtij trofeu do të përballet në shtëpi me ekipin e Premier Ligës, Fulham, ndërsa një tjetër duel I zjarrtë do të jetë edhe derbi i Londrës, ndërmjet Uest Hemit dhe Totenhemit. Më e thjeshtë sfida për Arsenalin, që do të përballet me ekipin e kategorisë së tretë, Bllekpul. Më poshtë janë ndeshjet e turit të katërt të Kupës së Ligës, ndeshjet e së cilës do të luhen më 29 tetor:
Mançester Siti – Fulham
Burnemuth – Noruiç
Arsenal – Bllekpul
Lestër – Everton/Sauthempton
Uest Hem – Totenhem
Midëllsbru – Kristal Palas
Çelsi – Derbi Kaunti
Barton – Notingam Forest