Kukësi ka rinisur stërvitjen në Shqipëri pas përfundimit të fazës përgatitore në Slloveni. Trajneri Peter Pacult ka vijuar me programin e tij para ndeshjes me ekipin e Valetës. Takim ky që do të luhet më datë 11 korrik, ora 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, të Shkodrës.
Numri një i stolit u ka kërkuar drejtuesve të klubit që seancat stërvitore deri për ndeshjen shumë të rëndësishme kundër maltezve të zhvillohen në një fushë me bar. Zyrtarët e verilindorëve janë lidhur me drejtuesit e Tiranës dhe kanë arritur marrëveshjen që nënkampionët e Shqipërisë të zhvillojnë përgatitjet e tyre në “Skënder Halili”.
Ekipi nuk do të përgatitet në Pezë Helmes në kompleksin “Internacional”, në një fushë me bar artificial, por në fushën me bar natyral të “Skënder Halilit”. Një zgjedhje mjaft e mirë e kuksianëve. Ditën e premte, me shumë mundësi do të luhet takimi miqësor kundër Kastriotit, pavarësisht se ende nuk është konfirmuar diçka e tillë.