Kukësi përballë Teutës, testi që vendos shumë

Verilindorët përballen me durrsakët në një sfidë që premton emocione të mëdha. Milinkoviç do të qartësojë dilemat e formacionit të kampionëve

Skuadra e Kukësi do të luajë ditën e sotme me ekipin e Teutës. Një ndeshje miqësore mjaft interesante, pasi të dy ekipet do të jenë rivale edhe në Superligë. Takimi do të zhvillohet në qytetin e Strugës, në orën 17:00. Stadiumi i këtij qyteti ka mirëpritur të dy skuadrat për të luajtur në këtë miqësore “luksi”. Për teknikun Mladen Milinkoviç do të jetë testi i parë i vërtetë, pasi ndeshjet me Lirinë e Prizrenit, Dinamon, por edhe Labonishtin e Strugës nuk ishin me kundërshtar të nivelit të Teutës.

Kampionët e Shqipërisë po mundohen që të aplikojnë një lojë të ndryshme nga e vjetshmja, pasi duan të fusin lojën poshtë, ndryshe nga sezoni i kaluar kur luanin me topin e gjatë. Këtë ka deklaruar dhe vetë trajneri Milinkoviç në një prononcim të tij për mediet. Ai ka hasur vështirësi në ndeshjet e tij të para miqësore dhe duhet që ekipi të përthithë sa më shpejt këtë mënyre të të luajturit.

ALIJEV – BAKAJ? – Do të jetë i rëndësishëm edhe formacioni që do të hedhë në fushën e lojës trajneri Mladen Milinkoviç për këtë sfidë. Ai do të aktivizojë nga minuta e pare në portë Koliçin. Mbrojtja është e “salduar” me Hallaçin në të djathtë, Shameti dhe Allan në qendër dhe Rumbullaku në të djathtë. Mesfusha do të përbëhet nga Shtubina djathtas, Musolli dhe Zeqiri në qendër dhe Kale majtas. Sulmi me shumë mudnësi nga Naser dhe Bakaj. Do të jetë e vështirë për të parë nga fillimi dyshen Bakaj dhe Alijev. Tekniku serb mund t’i japë mundësi të luajnë në minutat në vazhdim së bashku.

GURI – Lojtari më i përfolur i Kukësit në këtë merkato ka qenë Sindrit Guri. Ai ka qenë në vëzhgimin e disa ekipeve që nga Moldavia e largët e deri në Seria D në Itali. Shkodrani pritej të kishte një fazë të mirë dhe të “blindonte” vendin në formacion duke dueluar fuqishëm me Alijevin dhe Bakajn, por duket se do ta ketë të vështirë. Martesa e tij ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe te forma fizike, pasi Guri nuk e ka marrë ngarkesën e të tjerëve dhe nuk është në formën që kanë arritur lojtarët e tjerë.

Formacioni i mundshëm

Koliçi – Hallaçi, Shameti, Alla, Rumbullaku – Shtubina, Musolli, Zeqiri, Kale – Naser – Bakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *