Kukësi pa alternativa, Lushnja me mision të pamundur

Kampionët duhet të rikthehen për të marrë një fitore oksigjeni dhe nuk mendojnë asnjë rezultat tjetër, përballë lushnjarëve që duken ta pashpresë

Jurgen Zela

Kukësi dhe Lushnja do të hapin javën e 14-të të Kategorisë Superiore, sot në orën 13:00 në takimin që do të zhvillohet në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Një sfidë deri diku e dëshpëruar, pasi të dyja skuadrat vijnë në një moment aspak pozitiv. Te Kukësi e shohin gjithnjë e më larg objektivin titull, pavarësisht se nuk e pranojnë me zë dhe deklarojnë se mund ta arrijë vendin e parë, edhe vetë ata e dinë mirë se nuk do të jetë aspak e lehtë.
FITORJA DETYRIM
Verilindorët do e quanin vetëvrasje një rezultat tjetër veç fitores dhe as që e mendojnë se mund të gabojnë me skuadrën e cila pozicionohen në vendin e dhjetë. Pas një jave relativisht të ngarkuar, me shumë përplasje mes drejtuesve, gjobash për lojtarët dhe ultimatume për të marrë tre fitore radhazi, trajneri Milinkoviç dhe të besuarit e tij, duhet t’i kenë bërë mirë llogaritë, pasi duket se është si një “minë me sahat” e cila nëse nuk menaxhohet me kujdes mund të shpërthejë nga momenti në moment. Në sfidën e parë Kukësi arrit që të merrte një fitore të pastër 2-0, megjithatë dhe lushnjarët u paraqitën mirë. Kukësi duhet të bëjë pa Kalenë dhe Kërkotiçin.
TRENI I FUNDIT PËR LUSHNJEN
Në krahun tjetër Lushnja është skuadra e cila mbyll klasifikimin dhe ndeshje pas ndeshje sheh rivalët që të thellojnë diferencën. Vetëm 5 pikë në klasifikim dhe plot 6 ndeshje që nuk marrin qoftë dhe një barazim. Në Kukës mund të konsiderohet për ta si shansi i fundit për mbijetesë, edhe pse në fushën e Kukësit do të jetë mjaft e vështirë për të fituar. Trajneri Dedja ka të gjithë grupin në dispozicion, dhe do të synojë që të bëjë surprizën e madhe në Kukës. Verdhjeshilët duhet të sfidojnë dhe historinë, pasi në të shkuarën nuk kanë arritur që të fitojnë asnjëherë në Kukës, gjithmonë sa i përket përballjeve në Superiore.
HYRJA FALAS
Kampionët kanë njoftuar dje përmes sajtit zyrtar se ndeshja me Lushnjen do të jetë pa bileta. Kjo është hera e parë për këtë sezon që Kukësi bën hyrjen e lirë, pasi më parë gjithnjë hyrja ka qenë me bileta. Situata jo shumë pozitive i ka shtyrë drejtuesit e Kukësit që të kërkojnë dhe mbështetjen e tifozëve për këtë ndeshje ku nuk mendohet asnjë rezultat tjetër veç fitores. Numri i tifozëve në shkallët e stadiumit nuk pritet të jetë i lartë, jo vetëm për shkak të temperaturave, por dhe për rezultatet e dobëta të ekipit, si dhe faktit se përballë do të jetë Lushnja e cila mbyll klasifikimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *