Me vuajtje të mëdha, Kukësi ka bërë detyrën, duke u kualifikuar për në turin e dytë kualifikues në Champions League me një gol në fundin e takimit nga Dzaria, që siguroi barazimin 1-1 në Maltë.
Natyrisht, është një lajm i mirë për gjithë Superioren, sepse rrezikonim të prishnim një traditë të shkëlqyer me kualifikime në çdo sezon.
Edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka postuar një mesazh në rrjetet sociale, duke lavdëruar Kukësin për kualifikimin.
“Urimet më të mira skuadrës së Kukësit, lojtarëve, stafit, trainerit Cungu, presidentit Gjici, por edhe tifozëve kuksianë, për këtë sukses aspak të lehtë, por tërësisht të merituar sot në Maltë.
Me angazhim e përkushtim, skuadra e Kukësit kualifikohet për në turin tjetër të Ligës së Kampionëve, me shpresën dhe besimin për të shkuar sa më larg në këtë kompeticion. Kualifikimi i sotëm përbën një lajm shumë të mirë për përfaqësimin e skuadrave shqiptare në Kupat e Europës”.