Kukësi ka një detyrë të vështirë përpara, pasi duhet ta përfaqësojë Shqipërinë sa më denjësisht në Champions League. Skuadra verilindore do të ndeshet në turin e parë të Champions League me skuadrën malteze të Valetës, ku kualifikimi konsiderohet më shumë se detyrim, pasi bëhet fjalë për një kundërshtar në letër më inferior se kuksianët.
Blutë prej më shumë se dy javësh janë zhvendosur në Slloveni ku kanë kryer fazën përgatitore, e cila ka pasur një program mjaft të ngjeshur dhe lojtarët janë shprehur se ka qenë një periudhë mjaft sfilitës. Gjithsesi fazës përgatitore ika ardhur fundi dhe Kukësi nesër do të fluturojë drejt Shqipërisë ku do të përgatitet deri më 11 korrik për ndeshjen e parë me Vlatenë, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”.
Gjatë qëndrimit në Slloveni Kukësi ka zhvilluar dhe tre ndeshje miqësore, ku është mundur nga Maribori dhe ka barazuar me Gabalën dhe Hermanstadt.