Kukësi dhe Kërkotiç, ping-pong dhe gjoba

Gjobë një pagë mujore për mosparaqitje, edhe pse lojtari rezulton të ketë qenë i dëmtuar në atë periudhë. Menaxheri Halili: I thamë të ndryshojë sjellje dhe të kthehet

Rrugët e Milosh Kërkotiçit dhe Kukësit duket se nuk takohen askund. Mesfushori dhe Kukësi duken larg gjetjes së gjuhës së përbashkët dhe kjo kuptohet dhe nga akuzat apo deklaratat që nuk përkojnë me njëra-tjetrën. Pas ndeshjes me Luftëtarin mesfushori malazez u konsiderua jashtë planeve të skuadrës, por një muaj më vonë situata ka ndryshuar dhe klubi i Kukësit pretendon se i ka thënë lojtarit se duhet të kthehet, me një kushte disi të çuditshëm: të ndryshojë sjellje, pavarësisht se Kukësi nuk ka deklaruar se çfarë rregulli ka thyer Kërkotiç.

GJOBA Gazeta ka siguruar një fletë-gjobë, që mban datën 8 dhjetor të vitit të shkuar, ku argumentohet dhe saktësohet pika e cila pretendon Kukësi se lojtari ka thyer rregulloren e brendshme të klubit. Siç shihet dhe në foto, dallohet se lojtarit i është depozituar në FSHF një gjobë e vlefshme me një rrogë mujore. Në dokument saktësohen dhe dy datat ku Kukësi ka rezerva sa i përket veprimeve të lojtarit, duke e akuzuar këtë të fundit se në datat 4 dhe 7 dhjetor ky nuk është paraqitur pranë klubit.

DYSHIMI

Lojtari gjatë periudhës kur përkojnë dy datat ka pasur një dëmtim që e ka lënë jashtë fushave të lojës për disa ditë. Kërkotiç u dëmtua në ndeshjen e parë të Kupës me Erezenin, madje atë takim për shumë minuta skuadra e Kukësit e ka luajtur me 10 lojtarë pasi i kishte kryer të tre zëvendësimet. Në të tilla kushte mbetet për t’u parë nëse Kukësi e ka dashur për stërvitje lojtarin apo thjesht që të ishte në ambientet e klubit, edhe pse i dëmtuar. Gjithsesi, ajo pjesë u takon raporteve mjekësore, por ka vend për dyshim.

DEKLARATA

Ishte menaxheri i Kërkotiç, Aleksandër Shunjeviç, i cili foli në lidhje me situatën te Kukësi, duke e thënë hapur se klientit të tij i është komunikuar se nuk është më në planet e klubit. Ditën e djeshme në konferencë për shtyp ishte dhe menaxheri Naim Halili, i cili po ashtu i pyetur në lidhje me këtë çështje ka dhënë versionin e tij, duke theksuar se lojtari duhet të ishte kthyer dhe konfirmuar se është gjobitur për sjelljen e tij: “Kërkotiç nuk është paraqitur pranë ekipit. Ka pasur disa shkelje të rregullores së brendshme të klubit dhe për këtë është penalizuar me gjoba. Në këtë mënyrë, ai është vetëlarguar nga klubi”. Menaxheri i Kërkotiç përmendte emrin e Halilit, si personi që i ka thënë mesfushorit se nuk duhet të kthehej më në skuadër, por në këtë pikë ai e përgënjeshtron, duke thënë se ai duhej të kthehej me një sjellje më të mirë: “Jo, nuk është e vërtetë. E vërteta është komplet ndryshe. Ne i kemi thënë: do të paraqitesh pranë ekipit nëse do të bindesh dhe do të rregullosh sjelljen dhe shumë gjëra atëherë mund të jesh pjesë e Kukësit”. Dikush në këtë mes gënjen, por se kush duket se në FIFA mund të marrë zgjidhje, pasi FSHF edhe më parë është treguar pasive dhe e paqartë, kujtoni rastin Emini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *