Duro: Tifozët do mbushin stadiumin, fitojmë për ta!

Trajneri i vlonjatëve, Shpëtim Duro, pohon se do të ketë e shumta dy ndryshime në formacion në krahasim me skuadrën e mëparshme

Elton Nika

Flamurtari e nis vitin 2018 përballë Partizanit, me të cilin në fakt do të ndeshet dy herë në vetëm pak ditë mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë. Vlonjatët duan ta nisin me këmbën e mbarë këtë vit, që do të thotë se synojnë fitoren ndaj të kuqve. Një ndeshje, që për trajnerin Shpëtim Duro është pak e vaçantë, por edhe shumë e rëndësishme. Pritet që kuqezinjtë të kenë ndryshime në formacion, ku e sigurt është mungesa e mesfushorit Muarem. Ai ndoshta do të jetë gati në ndeshjen e 31 janarit në kupë, sërish me Partizanin. Trajneri Duro foli dje në konferencë shtypi për gjendjen e skuadrës dhe pjesën e dytë të sezonit, ku Flamurtari pritet të jetë më i fortë.

– Profesor Duro, Flamurtari e nis vitin e ri me ndeshjen ndaj Partizanit. A është gati ekipi juaj?

– Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe e vështirë. Luajmë ndaj një kundërshtari, që paraqet vështirësi, por do të kërkojmë të bëjmë më të mirën. Eshtë një nga ato ndeshje, që pritet me mjaft interes edhe nga tifozët. Ne kemi pasur katër afrime në merkaton e dimrit, ndërsa Partizani disa më shumë. Tani presim të shohim në fushë çfarë janë në gjendje të bëjnë skuadrat dhe them se jemi gati dhe do të synojmë fitoren.

– Cilat janë mungesa për Flamurtarin në këtë përballje?

– Do të mungojë mesfushori Muarem, i cili ka pasur një kontraktim në ditën e fundit të përgatitjeve në Antalia. Lojtari ka qenë në Shkup për rikuperim dhe nuk do të jetë ndaj Partizanit, do të shohim reagimin e tij për ndeshjen në kupë. Nuk është ndonjë dëmtim serioz, por nuk mund të rrezikonim, sepse bëhet fjalë për një lojtar mjaft cilësor. Veç tij, edhe Nedeljkoviç ka pasur një problem shëndetësor, por është paraqitur në stërvitje dhe do të shohim për aktivizimin e tij ndaj Partizanit.

– Duke parë edhe afrimet në merkato, do të ketë ndryshime në formacion?

– Do të jetë në përgjithësi skuadra që mbylli pjesën e parë të sezonit, me një ose dy ndryshime në formacion. Do të vlerësojmë gjithçka deri në momentin e fundit, por nuk ka shumë ndryshime krahasuar me skuadrën e mëparshme.

– Kur vjen Partizani në Vlorë, stadiumi mbushet. Çfarë do të thoshit për këtë aspekt?

– Duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjes, pres një stadium të mbushur me tifozë për të përkrahur ndaj Partizanit. Ndeshja vjen në një moment, kur kemi zhvilluar fazën përgatitore dhe kemi përforcuar skuadrën. Luajmë për herë të parë para tifozëve për këtë vit dhe mendoj se stadiumi do të jetë i mbushur me tifozë, kështu që detyrimi ynë është ta fitojmë këtë ndeshje.

– Ju emocionon fakti që do të keni përballë ish-skuadrën tuaj?

– (Qesh) Nuk është hera e parë që luaj kundër Partizanit, por ka emocion. E njoh pjesën më të madhe të stafit drejtues dhe të lojtarëve. Kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës te Partizani dhe me tifozët kam pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira. Për mua përbën emocion kjo ndeshje, por duhet kuptuar se jam trajner i Flamurtarit dhe në Vlorë, prej momentin që kam ardhur, kam pasur gjithmonë mbështetje. Kam kaluar mjaft mirë. Ndaj do të kërkoj fitoren me Flamurtarin, pasi në fund të fundit, jemi profesionistë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online