“Kujtimet më të bukura i kam te Skënderbeu”! Sabien Lilaj lë futbollin, rrëfimi i lojtarit: Të rinjtë shqiptarë kanë një difekt, mendjen vetëm te paratë

Sabien Lilaj do ta mbyll me futbollin e luajtur. Pas kontributit të dhënë te Dinamo dhe me ngjitjen e kryeqytetasve në Superiore, mesfushori i njohur do të var këpucët në gozhdë. I ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari, Lilaj ka zgjedhur edhe trajnerët më të mirë që ka punuar më herët.

“E rëndësishme për ne është ngjitja në Superiore. Nuk është në dorën tonë nëse do ta mbyllim të parët apo të dytët, por ne do të përpiqemi të fitojmë dhe të shohim Skënderbeun. Kategoria e Parë është e vështirë. Shpresoj që Skënderbeu të ndalet dhe ta marrim ne trofeun. Në fillim nuk e kisha me qef të provoja këtë Kategoria, doja të mbyllja sportin që vjet.

Por më pas na ngeli peng rënia e Dinamos, doja të jepja kontributin tim që ta ngjisja dhe më pas të vazhdoja punën time. Ndeshja ime e fundit futbollistike është me Luzin dhe pastaj do të tërhiqem nga futbollit i luajtur. Do provoj të jem sërish afër me futboll, por jo si lojtar. Pjesa më e bukur e karrierës time ka qenë te Skënderbeu. Ekipi ishte shumë i mirë, e shijoje futbollin, u mblodhën të gjithë në një vend dhe prandaj ishin ato rezultate.

Marrëdhënia me paratë? Duke parë vitet që ikin në futboll dhe duke kursyer më shumë. Kur je në moshë të re dhe merr mirë, prish më shumë. Kur merr më pak pastaj dhe kursen më shumë. Njeriu nuk kënaqet kurrë në këtë aspekt, por duke parë se ka të tjerë dhe më keq, i jam falënderues futbollit pasi kam pasur jetë të mirë.

Kam disa apartamente në Tiranë dhe Korçë, i jap me qera, si ditore dhe mujore. Mendoj se me këtë do të merrem pas futbollit. Sigurisht që do të mundohem edhe të jem pjesë e futbollit, të jem më afër tij kur ta mbyll si lojtar.

Trajneri më i mirë? Do zgjedh Mirel Josën të parin, për mënyrën e komunikimit. Të mban si shok, jo vetëm në futboll, por edhe në jetë. Gjithashtu edhe Ilir Daja për kujtimet e bukura që kemi me të. Sa i përket trajnerit të Shqipërisë, do të zgjedh De Biazin.

Mesazhi për të rinjtë? Ky brezi i ri që kemi edhe në ekipin tonë, por edhe nga ekipet e tjera, i vë re shumë difektet e rinisë shqiptare. Ata mendojnë vetëm për rrogën, vetëm për paratë, vetëm për transfertat. Thjesht duhet të punosh dhe pastaj gjërat e tjera do të vijnë. I mendojnë gjërat se arrihen lehtë”, tha Lilaj. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *