Kualifikueset e Europianit U-19/ Shqipëria mundet nga Belgjika

0

Kombëtarja shqiptare U-19 ka zhvilluar pasditen e kësaj të mërkure ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Belgjikës, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu u mundën me shifrat 1-3, teksa pavarësisht rezultatit, duhet vlerësuar loja e mirë që ata bënë përgjatë 90 minutave në tokën belge ndaj vendasve.

Trajneri Cungu e nisi sfidën me këtë formacion: Simon Simoni, Zylyf Muca, Elton Fikaj, Daniel Hysaj (c), Klevis Haxhari, Bilario Azizi, Albion Kurbasha, Endri Muhameti, Rrok Toma, Kevin Shkurti, Dario Daka.

Ekipi shqiptar zhvilloi një lojë mjaft të mirë, teksa gjatë pjesës së parë, kuqezinjtë tentuan disa herë portën kundërshtare, por nuk arritën të finalizonin. 45 minutat e para përfunduan me porta të paprekura nga të dyja skuadrat.

Me nisjen e fraksionit të dytë, belgët kalojnë menjëherë në avantazh, por që zgjat shumë pak për vendasit, pasi kuqezinjtë barazojnë rezultatin brenda katër minutave me Dario Dakën, mesfushorin kuqezi të Leçe-s në Itali, i cili me anë të një kundërsulmi të shpejtë realizoi gol.

Trajneri Cungu bën dy ndërrime në minutën e 62-të, duke hedhur në fushë Tahirin dhe Kasmollarin e duke nxjerrë nga loja Kurbashën dhe Shkurtin.

Në minutën e 64-t, belgët na ndëshkojnë sërish me Stroeykens. Cungu vendos të bëjë edhe tre zëvendësime të tjera, duke hedhur në fushë Kurtin, Cungun dhe Sulejmanin për Hysaj, Fikajn e Toman.

Në minutën e fundit të shtesës së kohës së plotë, Belgjika realizon edhe golin e tretë, me një rezultat ndoshta të padrejtë për kuqezinjtë për lojën që zhvilluan.

Shqipëria U-19 do të zhvillojë edhe ndeshjen e dytë dhe të fundit të grupit 7 ndaj Spanjës po në Belgjikë më 24 shtator.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.