Kualifikoi Ballkanin në grupet e Ligës së Konferencës, Daja: Suksesin e ndaj me gjithë Kosovën, ja çelësi i suksesit

Ilir Daja arriti një sukses të jashtëzakonshëm mbrëmjen e sotme. Trajneri shqiptar dërgoi për herë të parë në histori një ekip nga Kosova në grupet e një kompeticioni europian. Ballkani mposhti Shkupin në “Fadil Vokrri” me rezultatin 1-0 dhe pret biletën për në grupet e Ligës së Konferencës. Pas ndeshjes, Ilir Daja ka treguar sekretin e këtij suksesi, të cilin e ndan me të gjithë Kosovës, pasi sipas tij nuk i takon vetëm Suharekës.

“Çelësi i suksesit është bashkëpunimi. Presidenti i klubit bëri që të kemi një ekip të tillë. Ballkani ishte debutues. Lojtarët debutuan, por është një grup me cilësi dhe element të rëndësishëm. Janë djem të mirë brenda dhe jashtë fushës. Si trajner jam ‘i bezdisshëm’, me ngarkesa dhe në pjesën e videove. Ata nuk u mërzitën.

I gjithë suksesi shkon për ta. E ndaj këtë sukses me gjithë Suharekën dhe gjithë Kosovën sepse dolëm përtej qytetit. Përfaqësuam gjithë futbollin e Kosovës. Falënderoj tifozët tanë dhe të ekipit mysafir sepse na pritën shumë mirë atje. Kartoni e ndryshoi rrjedhën e lojës sepse Shkupi do të sulmonte me gjitha forcat pas fitores që e arritëm në Shkup.

Dalja me karton të kuq na lehtësoi punën. U treguam të mençur dhe të duruar. E pamë që Shkupi tërhiqej prapa dhe tentonte nëpërmjet kundërsulmeve të na sulmonte. Ne mundoheshim të kishim topin në qarkullim dhe të dominonim fizikisht. Besoj që asnjë ekip nuk na ka dominuar në Prishtinë, qoftë Zalgirisi apo Klaksviku, si dhe La Fiorita”, ka deklaruar Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *