Pas ndeshjes në “Loro Boriçi” ndaj Kukësit (0-0), për turin e dytë të Champions, Ansi Agolli, ish-kapiteni i Shqipërisë, ka postuar disa fotografi në Instagram, duke shprehur falënderime për mikpritjen.
“Nuk mund ta mohoj që ditët që kalova në atdhe ishin mjaft emocionuese për mua nga ana sportive. Por ajo njerëzore më la shumë mbresa dhe do ta mbaj mend gjate.
Dua të falënderoj futbolldashësit në stadium dhe jashtë tij për ovacionet e ngrohta, klubin e Kukësit për respektin dhe pritjen që më rezervuan dhe presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand_duka për vizitën surprizë përpara fillimit te ndeshjes.
Dua të kushtoj dhe falënderime të veçanta për presidentin Meta, i cili më priti në selinë e presidencës, ku kujtuam paraqitjet e kombëtares dhe sukseset në Francë 2016, ku u eliminuam nga kampionët aktualë të botës”.