Është 34 vjeç, ka luajtur mbi 100 ndeshje me Holandën, ka mrekulluar Anglinë e Turqinë me golat e tij, ndërsa para pak ditësh u kthye në Holandë. Është djalë Roterdami, zemra e komandonte të kthehej në shtëpi, te Fejenordi. Histori kurioze ajo e Robin Van Persit, është rritur te Ekselsiori, ekipi i dytë i qytetit, ku luajti prej moshës 5 vjeç deri në 16 vjeç. Pati një grindje me trajnerët e tij tek Ekselsiori, pasi ishte një karakter paksa i vështirë, dhe erdhi kalimi te Fejenordi, duke pasur edhe shans, sepse një krizë dëmtimesh bëri që të kalonte në ekipin e parë dhe në moshën 17 vjeçare, në sezonin 2001/2002, luajti 15 ndeshje në formacionin titullar.
Aq mjaftoi që Fejenordi të firmoste me të një kontratë 3-vjeçare dhe në sezonin pasardhës Robin shënoi 5 gola në një fitore kupe 6-1 kundër AGOVV Apeldornit. Ishte 6 shkurt 2003, legjenda kishte nisur fluturimin, ashtu si sherret e tij, sepse një grindje me trajnerin Bert van Marvijk e çoi në ekipin e rezervave. E mbylli sezonin me 8 gola në 28 ndeshje dhe shumë tension me trajnerin. Kjo bëri që sezonin pasardhës të luante edhe më pak, pasi grindjet me Van Marvijk nuk kishin fund. Në janar 2004 Arsenali bëri një tentativë për të blerë, por oferta ishte e ulët. Askush nuk e donte “rrugaçin” nga Roterdami, por bënte përjashtim Arsen Venger. Francezi e donte me çdo kusht dhe shite diçka speciale tek ai djalosh që më shumë bënte rrëmujë në stërvitje e ndeshje, sesa gola. Në maj 2004 Arsenali e bleu për 3 milionë euro, thuajse falas, ndërsa Venger pak nga pak e transformoi nga një anësor ofensiv në një sulmues të vërtetë.
Shpërthimi i tij në Londër erdhi në sezonin 2005/2006, duke u rritur gradualisht e duke u bërë një yll tek Arsenali, derisa në gusht 2012 iku te Mançester Junajtid, ku qëndroi 3 vite. Më pas, për 5.5 milionë euro e bleu Fenerbahçe, ku shkëlqeu sezonin e parë, por rendimenti erdhi në rënie, derisa këtë sezon ka luajtur shumë pak dhe vendosi të kthehej në Roterdam. Nuk do të jetë titullar, e di mirë, por sot u fut në minutën e 78-të dhe pas pak sekondash mori një top në zonë dhe kundër Groningenit nuk fali, duke shënuar golin e fitores 3-0. Ishte goli i parë në kampionatin holandez që prej 15 shkurtit 2004. 13 vite e 358 ditë! Stadiumi i tëri në këmbë, “mistreci” legjendar është rikthyer!
Van Persie scores 2 minutes after coming on for his second debut for Feynoord. What a goal. pic.twitter.com/fkGdsZEQQk
— Ryan. ? (@Vintage_Utd) February 8, 2018