Kthehen Radas dhe Soue, sot mbërrin Kaba Sambou

Lajme të mira te Skënderbeu. Për mbrojtësin kroat pritet te paguhet gjysma e dënimit, kurse sulmuesi është stërvitur dje në Durrës. Afrimi i fundit vjen sot

Leonard Trebicka

Ka lajme të mira në kampin bardhekuq pak ditë para ndeshjes me Vllzninë, që luhet në Shkodër ditën e diel. Trajneri Ilir Daja dje ka mbetur i kënaqur nga fitorja me Teutën, por edhe nga fakti që në Shkodër do të ketë gati lojtarë me peshë si Marko Radas dhe Ali Soue. Radas u ndëshkua me karton të kuq në Gjirokastër dhe Disiplina e dënoi me 2 ndeshje, një nga të cilat e shleu ndaj Teutës. Në bazë të rregullores, Radas ka edhe një ndeshje tjetër pezullim, që është gjysma e dytë e dënimit dhe që pritet të shlyhet me pagesë. Klubi bardhekuq me siguri do ta paguajë shumën financiare dhe Radas është një rikthim me vlera për Dajën. Lajmi tjetër i mirë është se Ali Soue është bashkuar dje me ekipin. Ai u kthye dje në mëngjes nga Gambia, ku shkoi për rinovimin e lejes së qëndrimit. Nuk mundi të stërvitej me grupin dje, por pasdite ka kryer një seancë individuale me zv/trajnerin Gentjan Liçi. Trajneri Daja kërkon ta ketë sulmuesin të gatshëm në Shkodër për ndeshjen e rëndësishme me Vllazninë, ku mendohet të luajë titullar. Dy rikthime të rëndësishme për Skënderbeun këtë fundjavë, kur do të mungojë vetëm Afrim Taku, i cili do të kthehet më 10 shkurt nga Amerika. Suas Sahiti është drejt riaftësimit të plotë dhe ndoshta në ndeshjen e radhës me Vllazninë mund të jetë në stol. Me kthimin e sulmuesit Soue nga minuta e parë, formacioni i korçarëve kthehet si më parë, ku Gavazaj dhe Xhejms e mbështesin atë nga krahët.

SAMBOU – Blerja e fundit e Skënderbeut, qendërmbrojtësi Kaba Sambou, mësohet se pritet të mbërrijë sot në Shqipëri. Drejtuesit e klubit e kanë lajmëruar stafin teknik që Sambou, me shumë gjasa, do të jetë sot në “Tropikal”. Futbollisti 21-vjeçar, siç është bërë me dije në numrin e djeshëm, ka nënshkruar për 2.5 vjet me Skënderbeun dhe vlerësohet një afrim shumë i rëndësishme për të ardhmen. Me ardhjen e tij është mbyllur edhe merkatoja dimërore në hyrje. U fol shumë për një sulmues, por nuk u bë e mundur afrimi i tij. Mbrojtësi Sambou do kohë në fakt që të përshtatet me ekipin, aq më tepër që në prapavijë konkurrenca është e madhe. Edhe ky është një tjetër lajm i mirë për trajnerin Ilir Daja. Ndryshe nga dy ndeshjet e para të këtij viti, ato me Luftëtarin dhe Teutën, ai do ta ketë grupin më të plotë në Shkodër dhe alternativat janë më të mëdha.    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *