Të gjithë në mbrojtje të portierit kuqezi, pas dy gabimeve fatale në finalen e Kupës. Lotët, mërzia dhe më pas ngushëllimi dhe e qeshura. Por, e ardhmja e tij do të jetë larg kuqezinjve: duhen 60-70 mln
“Donaruma është portieri i Milanit, e mbajmë fort, sepse është një talent i madh dhe që do të shkruajë historinë e futbollit botëror”. Rino Gatuzo nuk pranon që akuzat të bien mbi Xhanluxhi Donarumën, pas dy gabimeve evidente që i dhuruan praktikisht Kupën e Italisë Juventusit. Dy gabime fatale, që fshijnë atë që deri tani ka bërë portieri, madje dhe pritjen e mrekullueshme ndaj Milikut, në minutat e fundit të ndeshjes Milan-Napoli, por sidomos penalltinë e neutralizuar ndaj Dibalasë në Superkupën e fituar në Doha, apo kualifikimin që i dha kuqezinjve po në “Olimpico”, ndaj Lacios…
Pesë minuta të mallkuara, “black out”, mes të ardhmes në diskutim, por sidomos të tashmes së lotëve. Sepse, në përfundim të ndeshjes, portieri kuqezi është larguar kokulur, duke qartë dhe fshehur fytyrën, por Bufon arriti ta ndalonte dhe në vesh i pëshpëriti fjalinë “je vetëm 20 vjeç”, pra duke i lënë të kuptonte se ka një karrierë përpara.
Në fakt, për një portier që ka vendosur rekordin e 100 ndeshjeve në Serinë A vetëm 19 vjeç e disa muaj, sigurisht që e ardhmja është e ndritur, edhe pse vera e shkuar ishte ndër më të vështirat sa i përket negociatave për qëndrimin ose jo te Milani, mes presioneve dhe shantazheve të agjentit të tij, Mino Raiola, rinovimit me rrogë 6 mln euro në sezon dhe transferimin e të vëllait, Antonio Donaruma. Ishte familja ajo që bëri hapin për të vijuar në “San Siro”, teksa agjenti i tij u grind me drejtorin sportiv, Mirabeli.
Të gjithë futbollistët kuqezi, të pyetur pas ndeshjes, por edhe shumë ish, si Noçerino, kanë ngushëlluar Donarumën dhe i kanë shprehur solidaritet dhe sidomos forcë për të kaluar këtë moment. Madje, Marko Fasone, administratori i deleguar, gjatë kthimit nga Roma, ka qëndruar bashkë me portierin në aeroportin e Malpensës dhe i ka dhënë zemër pas dy gabimeve në finalen e Kupës.
Mes të dyve ka pasur edhe një shtrëngim dore të ngrohtë dhe të ndjerë, e ndjekur me një dorë që ka prekur krahët e portierit dhe buzëqeshjen e shkëmbyer. Edhe skuadra dhe shokët i kanë qëndruar pranë, duke i ngritur moralin në avion, teksa Xhixho ishte i ulur pranë të vëllait Antonio Donruma. Sepse, moto kuqezi pas finales është “ndeshjen e humbëm të gjithë bashkë!”.
Largimi – E megjithatë, e ardhmja e Donarumës është larg Milanit, sepse afrimi i Reinës është padiskutim indicia më e madhe. Portieri i Napolit, që firmosi parakontratë disa muaj përpara, pritet të jetë titullari i portës kuqezi sezonet e tjera, edhe pse Mirabeli dhe Fasone shprehen se Donaruma është i pari dhe vetëm nëse ai kërkon largimin, do të shitet. Megjithatë, përtej fjalëve, faktet janë ndryshe: Raiola nuk ka humbur kohë por ka nisur manovrat e tij.
Duhen të paktën 60 mln euro për të bindur Milanin, që megjithatë kërkon 70 e sipër, për të krijuar atë buxhet të rëndësishëm që të kryejë merkato, pasi do të flitej për një supervlerë të jashtëzakonshme, pa harruar rrogë edhe për katër vite të tjera, pra 24 milionë euro të kursyera, teksa Riena do të fitojë 3,5 mln euro në sezon për tre vitet e ardhshme. Bashkë me Xhixhon, edhe vëllai i madh, Antonio Donaruma, pritet që ta ndjekë, kudo që të shkojë, ndoshta si portier i tretë.