Gjyqtari i takimit Inter-Juventusit, Daniele Orsato është njeriu më i urryer në Milano dhe në Napoli. Pikërisht në Napoli fajësojnë atë për humbjen e titullit kampion në Itali. Kryetari i bashkisë së Napolit, Luixhi de Maxhistris ka vijuar me akuzat kundër sistemit, duke i shkuar dhe më tej qëndrimeve të mbajtura po vetë fill pas takimit mes Napolit dhe Fiorentinës. Këtë herë ai ka përdorur rrjetet sociale ku ka shkruar: “Skuadra, tifozët dhe qyteti e meritojnë titullin. Në planin etik dhe sportiv e meritojnë.
Edhe pse matematika na mban ende në lojë, të them të drejtën me çfarë kam parë në Milano në ndeshjen mes Interit e Juventusit, kemi të drejtë të jemi të inatosur, të zhgënjyer. Duke iu kthyer ndeshjes në Milano, gjykimi ka qenë skandaloz dhe kjo ka demotivuar ekipin në Firence. E kuptoj dëshpërimin në Firence, edhe pse do të doja që ekipi të mos dorëzohej. Por për fat të keq po bëjnë gjithçka që të mos fitojmë. Gjithçka ndodhi në Milano ka peshuar shumë në aspektin psikologjik. Më gjeni një person që nuk do të thotë se gjykimi n Milano ka qenë një mizerje. Unë jam i pasionuar dhe kur shoh padrejtësi nuk mund të hesht”.