Kryebashkiaku i Korçës: Tetë milionë për stadiumin me 9 mijë vende

Pak ditë më parë u bë publik lajmi i bujshëm për të gjithë tifozët e Skënderbeut se do të ketë një investim shumë serioz për stadiumin në Korçë, që në vitin 2018 do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë. Dhe gjithçka e ka konfirmuar kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, i cili dje ka zyrtarizuar lajmin, duke dhënë detaje të tjera: “Në vitin 2018 do të fillojë ndërtimi i stadiumit “Skënderbeu” dhe këtë mund ta konfirmoj zyrtarisht nga ana e Bashkisë. Do të jetë financimi i Qeverisë së Shqipërisë dhe Korça të ketë një stadium të ri model. Kjo do të thotë se Skënderbeu të gjitha ndeshjet europiane t’i luajë në shtëpi. Është një shifër prej 7-8 milionë eurosh, që do të jetë e gjitha për stadiumin, pjesa më e madhe e të cilit do të jetë e mbuluar. E vetmja gjë që do të mbetet pa u prekur është fusha e stadiumit, që do të qëndrojë siç është. Në pjesët e tjera do të ketë ndryshime rrënjësore. Nuk di të them ndonjë datë të saktë se kur do të fillojë, por në 2018-ën gjithçka do të jetë gati për rikonstruksionin e stadiumit. Po ashtu, dua të them se stadiumi do të ketë një kapacitet prej 9 mijë vendesh. Tashmë mbetet të zbardhet projekti dhe më pas do të flasim për pamjen e re që do të marrë ky stadium”, – ka thënë kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, duke sqaruar se çfarë do të ndodhë me stadiumin e qytetit më të madh juglindor të Shqipërisë.

Klubi “Skënderbeu”, në bashkëpunim me FSHF-në, do të hedhin në letër kërkesat që ka UEFA për ndërtimin e një stadiumi, që  plotëson të gjitha kushtet. Stadiumi i ri padyshim që do të jetë dhurata më e madhe për tifozët korçarë në vitin 2018.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *