Një derbi i vogël shqiptar luhej sot në Serinë A, sepse Krotone priste Beneventon dhe në fushë viheshin përballë Arlind Ajeti e Ledian Memushaj. Nuk ishte Berat Gjimshiti, ende i dëmtuar, por dy futbollistët e tjerë të kombëtares sonë ishin titullarë.
Fitoi 2-0 Krotone, stërfitoi edhe Arlind Ajeti. Vlerësim maksimal, 6,5-7 për mbrojtësin tonë, i cili luajti një ndeshje perfekte, duke dominuar ndaj sulmit të vobektë mik. Është e qartë: nëse Ajeti është mirë fizikisht, është perfekt, por pikërisht problemet fizike ia kanë ndalur karrierën.
Ndërkaq, Memushaj luajti 58 minuta, nuk bëri asgjë dhe nuk ndihmoi në fazën sulmuese, duke vuajtur ndaj një rivali mjaft të organizuar, ashtu si gjithë Benevento.