Trajneri ka bërë dje një analizë të shkurtër, kurse sot në Durrës do të ketë në mbledhje mes drejtuesve dhe lojtarëve. Kapiteni Shehi karikon ekipin
Leonard Trebicka
Skënderbeu është në momentin më të keq, nuk është e vështirë të kuptohet. Humbjet në dy ndeshjet e fundit tregojnë qartë se çfarë goditje ka marrë skuadra e Dajës nga vendimi i UEFA-s për klubin korçar. Ajo që i shqetëson shumë drejtuesit dhe stafin teknik lidhet me faktin se lojtarët nuk po japin atë që duhet në fushë. Loja e Skënderbeut në dy ndeshjet e fundit nuk është pritur mirë në qytetin juglindor, edhe pse të gjithë e dinë se vendimi i fundit i UEFA-s do të kishte ndikim tek ekipi. Megjithatë, ka pasur besim se lojtarët do tregojnë në këto javë të mbetura se meritojnë titullin dhe të luajnë në Europë. Pas humbjes në Shkodër për kampionat, trajneri Daja zhvilloi një analizë me tone të ashpra me ekipin, por reagimi nuk erdhi në Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin. Skënderbeu ishte i njëjti në fushë, duke mos treguar grintën që ka pasur gjatë sezonit. Skuadra korçare është në krizë, duke i trembur drejtuesit saj edhe për çështjen e titullit. Edhe pse titulli duket i sigurt, ata do ta quajnë të tillë vetëm kur ta thotë matematika.
MBLEDHJA NË DURRËS – Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se dje, para seancës stërvitore, trajneri Daja ka pasur një analizë të shkurtër me lojtarët, ku thjesht u ka folur dhe ka dashur të kuptojë më shumë nga ata se ku qëndron problemi dhe përse ekipi po sillet në këtë mënyrë në fushë. Por ishte një analizë e shkurtër, që i ka paraprirë mbledhjes së sotme në Durrës. Në mesditë, kur skuadra të jetë në “Tropikal”, presidenti Takaj dhe trajneri Daja do të shkundin ekipin, duke u tërhequr veshin lojtarëve. Kreu i klubit bardhekuq ishte tejet i mërzitur pas humbjes me Flamurtarin në Kupë dhe u largua urgjentisht nga Korça. Për të mos u përballur me të tijtë me “gjakra të nxehta”, Takaj ka caktuar për sot një mbledhje, ku mund të flasë me më shumë qetësi. Nuk dihet, nëse do të merren masa nga presidenti i Skënderbeut, do të ketë gjoba apo jo, por e sigurt është se ai do t’u kërkojë llogari lojtarëve deri në një. Është faza e fundit e kampionatit dhe korçarët nuk mund të rrezikojnë kurrsesi titullin, kur janë 12 pikë para. Skuadra është në krizë dhe ka nevojë për një shkundje të fortë.
KAPITENI SHEHI – Diçka e pazakontë ka ndodhur këtë herë me ekipin korçar. Vetëm lojtarët me shumë përvojë mund ta bëjnë. Kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, pasi trajneri Ilir Daja zhvilloi një takim të shkurtër me të tijtë, ka marrë iniciativën për t’u folur shokëve të ekipit. Shehi ka theksuar se Skënderbe i dy ndeshjeve të fundit nuk ka lidhje me atë të zakonshmin. Kapiteni është munduar t’u japë kurajë lojtarëve, që të gjithë bashkë ta kalojnë krizën. Pas fjalëve të kapitenit Shehi, lojtarët kanë premtuar se kjo situatë do të kalojë shumë shpejt.