Pollozhani: U motivuam nga tifozët, kemi veç një merak

Lojtari polivalent ka komentuar fjalimin para ekipit dhe çështjen e kualifikimit. Dëshira e tij: Uroj të mos penalizohemi siç ka ndodhur deri tani

Elton Nika

Një fitore në Korçë dhe tashmë te Flamurtari shpresohet të jetë lënë pas krizën e rezultateve. Vlonjatët kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt finales së Kupës së Shqipërisë, objektivi kryesor i kuqezinjve në këto momente. Para ndeshjes me Skënderbeun, Artim Pollozhani, ka mbajtur një fjalim para shokëve të ekipit, teksa futbollisti shqiptar nga Maqedonia i quan të rëndësishme ato fjalë, që ishin një mesazh i tifozëve për ekipin. Ai ka analizuar paraqitjen e ekipin, shanset për kalimin në finale, ndërkohë që shpreson që në të ardhmen të vijohet me rezultate pozitive.

 

-Pollozhani, keni mbajtur një fjalim motivues para skuadrës…

Në fakt ishte më shumë një mesazh nga tifozët tanë, që e përcollëm para skuadrës dhe me këtë rast gjej momentin t’i falënderoj për mbështetjen e vijueshme që na kanë dhënë në çdo moment të këtij sezoni. Ajo video tashmë duket se është kthyer në “hit”, por më besoni janë përcjellë fjalët dhe dëshira e tifozëve përpara skuadrës dhe duket se ishte shumë e rëndësishme përpara një ndeshjeje shumë të rëndësishme si ajo e Korçës.

-Një fjalim që u mbajt para ndeshjes ishte ai?

Po, po. Kështu ishte, para ndeshjes. Një motivim më shumë për të gjithë skuadrën, për të gjithë ne lojtarët nga ana e tifozëve tanë, një mesazh i tyre me plot zemër që dha mesazhin e duhur dhe nxori në pah karakterin e vërtetë të kësaj skuadre. Një motivim i rëndësishëm.

-Keni fituar 1-0 në Korçë, a është finalja më pranë?

Nëse mendojmë kështu jemi të dështuar. Aspak, pasi janë edhe 90 minuta për t’u luajtur dhe duhet të luftojmë për të dhënë maksimumin edhe në ndeshjen e kthimit për të kaluar në finale të kupës. Natyrisht që fitorja në Korçë ishte shumë e rëndësishme, duke parë se si funksionon formati i kupës, por asgjë nuk ka përfunduar. Duhet të luftojmë dhe të zhvillojmë sërish një ndeshje perfekte ndaj Skënderbeut për të arritur finale. Të mos harrojmë kemi përballë një kundërshtar shumë cilësor, ndaj është vetëm një hap fitorja, asgjë nuk ka përfunduar.

-Kjo fitore e hedh pas periudhën negative që keni kaluar?

Ashtu shpresoj edhe unë, që me këtë fitore të kemi lënë pas një periudhë negative të skuadrës. Më duhet të pranoj se pavarësisht humbjes me Kukësin, që nuk e meritonim, kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe nuk e kuptuam si ndodhi ashtu. Por dhamë në përgjigje të mirë në Korçë. Skuadra ka funksionuar mjaft mirë dhe shpresojmë të gjithë së bashku se kemi lënë pas atë periudhë negative.  

-Skënderbeu vjen të hënën në Vlorë, por për kampionat. Si e shikoni këtë herë?

Nuk ka asnjë ngjashmëri ndeshja e ditës së hënë në kampionat me atë të kupës. Mendoj se do të jetë një ndeshje krejt ndryshe dhe Skënderbeu do të vijë të tregojë vlerat e tij. Por ashtu si thashë më lart, ne shpresojmë se tashmë kemi lënë pas gjithçka dhe do të kërkojmë fitoren ndaj një kundërshtari cilësor. Pavarësisht asaj çfarë ka ndodhur me dënimin e tyre, kjo nuk duhet të ndikojë. Ata mbeten skuadra e vendit të parë dhe natyrisht që do të jetë një ndeshje shumë e luftuar në çdo minutë.

-Çfarë ndodhi me Flamurtarin në fazën e tretë?

Pyetje e vështirë, por gjithsesi e ka përgjigjen. Shumë gjëra bashkë. Mungesat nga dëmtimet, pezullimet me kartonë dhe nuk dua të mos e ritheksoj gjykimin, pa lënë aspak mënjanë pjesë tonë.  Erdhën të gjitha në një moment. Nuk kam parë në asnjë skuadër tjetër kaq pezullime për shkak kartonësh, por edhe ndikim të gjykimit. Kjo që ndodh ndaj Flamurtarit me vendimet është e paparë ndonjëherë nga ana ime gjatë gjithë kohës që luaj futboll. Nuk justifikoj asgjë nga ana jonë, por nëse kaq gjëra bëhen bashkë, atëherë ndikim që padyshim do të ketë.

-Gjithsesi tani Flamurtari është më i plotë…

Kemi vuajtur dëmtime të lojtarëve që erdhën në janar, por fatmirësisht tani jemi më të plotë. Lojtarët që erdhën në janar treguan se janë të nevojshëm për skuadrën në këto dy ndeshje. Tani të shohim përpara dhe uroj mos të kemi pezullime nga dëmtimet apo kartonët, mbi të gjitha te kjo pjesa e fundit, pasi kartonët nuk mungojnë. Gjykimi ka të tijat, edhe nëse shikoni penalltinë në Korçë. Por ne duhet të shohim përpara.  

-Europa mbetet objektiv?

Padyshim që po. Shpresojmë shumë që ta arrijmë këtë objektiv. Me këtë skuadër kam besimin maksimal se do të jemi në Europë, por duhet të  vijojmë punën, ka ende shumë ndeshje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online