Kur i hedh një sy Juventusit dhe kontingjentit të lojtarëve, dallohet thjeshtë që pika më pak cilësore e ekipit është portieri. Polaku Shezni është një portier i mirë, por nuk jep sigurinë e dikujt që është tepër e vështirë t’i shënosh.
Roli i portierit është specifik dhe mjafton një gabim për ta “kryqëzuar”. Shezni u shfaq i pasigurt në golin e dytë të Junajtid në humbjen e mbrëmshme me rezultatin 1-2 dhe në drejtim të tij kanë ardhur kritika nga vendi ishullor.
Pol Skolls dhe Ouen Hargrivs, ish-mesfushorë të “Djajve të Kuq”, kanë cilësuar Sheznin si pikën më të dobët të bardhezinjve të Alegrit.
“Mendoj se Shezni nuk e bëri mirë punën e tij. Mund të dilte, por ishte i pasigurt dhe mendoj se portieri është pika më e dobët e Juventusit. Ka vuajtur për pesë vite tek Arsenali dhe nuk më duket se është përmirësuar”, flet Pol Skolls për “BT Sport”, duke iu referuar autogolit të Aleks Sandros, që solli fitoren e Junajtid.
Në të njëjtën linjë qëndron dhe Hargrivs, megjithëse gabon pak në arsyetimin e tij, pasi kemi dhe rastin e Barcelonës, që ka fituar tre Champions Liga me një portier si… Viktor Valdez, padyshim jo një portier i nivelit botëror.
“Skolls e preku çështjen e portierit. Sa skuadra e kanë fituar Champions Ligën pa një portier të nivelit botëror? Juventus është përgatitur të fitojë Champions-in dhe njerëzit prapa skenave po mendojnë se e kanë humbur shanset, tani që Bufon është larguar”, përfundon Ouen Hargrivs.