Kristiano gjen golin, Reali gjen fitoren

Madrilenët frikësohen nga Malaga, por fitojnë 3-2, duke shkurtuar diferencën me Barcelonën në 7 pikë. Ronaldo kthehet tek goli.

Reali i Madridit nuk ka ndër mend të heqë dorë nga La Liga kaq shpejt dhe është i vendosur t’i bëhet “ferrë” Barcelonës.

Skuadra e drejtuar nga Zinedin Zidan ka vuajtur përballë Malagës, por në fund ka marrë një tripikësh mjaft të vyer pas suksesit 3-2.

Reali e ka nisur mirë ndeshjen, duke shënuar që në minutën e 9-të me Benzema, duke lënë përshtypjen se do të ishte një e shtunë “gala”. Por në fakt nuk ka qenë ashtu. Malaga ka reaguar dhe 9 minuta më pas ka barazuar shifrat. Kasemiro (21’) ka kthyer përsëri Relain në epërsi dhe me shifrat 2-1 është mbyllur pjesa e parë.

Në të dytën Malaga ka sulmuar dhe Çori Kastro ka barazuar sërish shifrat (58’).

Reali më pas ka shtyrë me të gjithë forcën në kërkim të golit dhe pas dy penalltive të dyshimte të paakorduara, në minutën e 75-të Madridi shpërblehet me një 11-metërsh për një faull në dëm të Modriç. Ronaldo gjuan, portieri i Malagës grushton, por topi kthehet përsëri te portugezi, që këtë herë nuk gabon. Ai kthehet tek goli, ndërsa Reali kthehet tek fitorja.

Barcelona tani është -7, teksa nesër viziton “Mestajën” kundër Valencias.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *