Tërbuni ka vijuar rregullisht stërvitjen, duke e përqendruar vëmendjen maksimalisht të sfida e parë e fazës së dytë kundër ekipit të Besëlidhjes në “Ismail Xhemali”. Të gjithë shpresojnë që kushtet atmosferike të jenë optimale, duke qenë se këto ditë, pas shirave të dendur, mund të ketë edhe reshje bore.
KREPI – Trajneri i Tërbunit, Kreshnik Krepi, shprehet tepër optimist për fazën e dytë, teksa ka besim se skuadra e tij mund të marrë pikjet e plota që në start. Kujtojmë që Krepi e njeh mirë ambientin lezhjan, pasi ai ka qenë më parë trajner te Besëlidhja: “Tërbuni në fazën e parë ka marrë vetëm një fitore dhe shumë barazime. Kjo do të thotë që “oreksi” për 3 pikët në ndeshjen me Besëlidhjen është shumë i madh. Ne besojmë shumë se do ta kalojmë me sukses këtë ndeshje, pasi luajmë në sytë e tifozëve tanë. Fitorja me Besëlidhjen na rrit edhe më shumë shpresat për të zënë një vend në pesëshen e parë. Mendoj se edhe gabimet i kemi kaluar, pasi në fazën e parë skuadra nuk kishte konsolidimin e duhur. Uë bën shumë afrime, ndaj edhe përshtatja e grupit do kohën e vet. Ne kemi zhvilluar lojëra të bukura edhe në transfertë. Sa i përket Besëlidhjes, unë dua të them se është një nga ekipet më të mira të Kategorisë së Parë. Ne po punojmë shumë dhe unë jam i bindur që do t’ia dalim dhe do të fitojmë ndeshjen e parë të fazës së dytë në shtëpinë tonë. Kemi respekt për kundërshtarin e radhës, por jo frikë. Djemtë e mi mendoj se kanë potencial të fitojnë ndaj çdo kundërshtari, jo vetëm në Pukë, por edhe në transfertë”, – ka pohuar trajneri shkodran i Tërbunit, Kreshnik Krepi.
Gani Pema