“Jemi në rrugë të mbarë, po funksionojmë si klub dhe s’heqim dorë nga synimet që kemi”
Gani Pema
Ekipi i Tërbunit vazhdon stërvitjen nën drejtimin e trajnerit Kreshnik Krepi. Sfida e radhës me Besëlidhjen, e cila do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Ismail Xhemali”, po merr vlerësim maksimal nga stafi dhe lojtarët e skuadrës pukjane. Deri në fund të dhjetorit, në Pukë presin që skuadra mos gabojë, në mënyrë që të pozicionohet në pesë vendet e para. Këtë mendim ka edhe trajneri i skuadrës pukjane, Kreshnik Krepi, i cili në një prononcim dhënë enkas për “Sport Ekspres”, është shprehur: “Në sfidën e fundjavës së kaluar me Egnatian zhvilluam një volum të madh loje, ku ne krijuam edhe disa raste të pastra për shënim. Por, nuk arritëm që të konkretizonim. Pika, natyrisht që na kënaqi, por fitorja do të ishte “qershia mbi tortë” për mua dhe Tërbunin. Fundja do ta kishim merituar sepse e kërkuam dhe punuam shumë gjatë javës së shkuar. Tërbuni ka “brum” cilësor, por për të qenë të sinqertë, në shumë ndeshje kemi pasur mungesa dhe bëhet fjalë për kualitete me shumë eksperiencë. Këtu e kam fjalën për Shytanin apo dhe Nimanin që kanë qenë të dëmtuar për disa javë në periudha të ndryshme. Na është dashur që disa herë të bëjmë lëvizje. Megjithatë, tashmë jemi në rrugë të mbarë. E rëndësishme është që ne jemi një ekip “Fair-Play”, pranojmë rezultatin në fushën tonë dhe dua të përgëzoj edhe tifozët tanë që janë mjaft të emancipuar. Sa herë që luajmë në Pukë nuk na sjellin probleme dhe pse realisht ka pasur edhe padrejtësi që kanë ndikuar në rezultatin e ndeshjes. Ne do të punojmë shumë dhe unë kam besim se kjo skuadrës do të renditet në pesë më të mirat. I kam kërkuar lojtarëve që ta vlerësojmë si finale çdo ndeshje që na ka mbetur, të paktën deri në fund të dhjetorit. Mirënjohje kam edhe për shefin e klubit Frroku apo dhe presidentin Gjon Gjonaj që ka qenë shumë korrekt me pagat”, – ka theksuar duke mbyllur prononcimin e tij trajneri i skuadrës së Tërbunit, Kreshnik Krepi.
Gani Pema