Kronometri tregon minutën e 115 e 49’… Kamerat janë fokusuar në fushë, por edhe jashtë saj, aty ku në tribunë qëndron një zotëri biond, i fokusuar dhe shpresuar brenda tij se i biri, gjaku i tij, pasardhësi i tij, do të konfirmonte se geni është gen dhe rrallë mund të ndryshojë apo devijojë…
Piter Shmajkëll ndjek Kasper Shmajkëllin… dhe gëzon si i çmendur pasi i biri neutralizon një kampion si Luka Modriç. Krenari dhe gëzim, sepse lavdia i takon atij, biondit “të vogël” të familjes.
E të mendosh që të atin e kishte kaluar që në ndeshjet e grupeve në këtë Botëror (2 ndeshje pa pësuar në 3), por historia e Kasper Shmajkëllit, edhe pse rrugëtimi i tij në Rusi u mbyll pas një drame të vërtetë, kur ai top i goditur nga Rakitiç do të përfundonte në rrjetë, në llotarinë e 11-të metërshave, nuk ka mbaruar ende…
Që fati kishte rezervuar për të diçka të bukur u kuptua kur, me të vetmen skuadër që kurrë nuk mendohej se do të fitonte titullin në Premier League (Leiçester), arriti që të triumfonte në tokën ku edhe u krijua futbolli.
Një zgjedhje, ajo e tij, për ta nisur nga kategoria e dytë, Championship, por që më pas arriti të ngjitej në elitë dhe në fund ta mbyllte si kampion…
E ndërsa i ati, i madhi Piter Shmajkëll, ndiqte rritjen e të birit, Kasperi (emër i veçantë, si historia e asaj fantazmës së famshme që më pas u shndërrua në njeri, vetëm për pak) përmirësohej dita ditës, aq sa sot, 31 vjeç, është në maksimumin e tij…
Një maksimum që u konfirmua edhe sonte, duke pritur dy penallti në llotarinë e 11-të metërshave, përveç asaj gjatë kohës shtesë.
Më shumë se kaq, Kasper nuk mund të bënte!
FIFA e zgjodhi më të mirin, sigurisht, por skenën ia mori Subasiç, portieri kroat, ai “normali” që gjeti të bëhej “anormal” atëherë kur duhej. Kjo është një tjetër histori, natyrisht, por Kasper Shmajkëll mund të dalë me kokën lart, ashtu si i ati Piter. Fundja, futbolli është një lojë ku humbet dhe fiton, por mënyra se si e bën mbetet përjetë.