Kosova do të luajë dy ndeshje që mund të jenë historike për të. Skuadra e Bernard Shaland do të ndeshet me Maltën në transfertë dhe do të presë më pas Azerbajxhanin në shtëpi. Ecuria e “dardanëve” ka qenë mbresëlënëse, pasi aktualisht janë në vendin e parë me 8 pikë dhe nëse fitojnë në ndeshjen me Latën dhe Azerbajxhani nuk merr pikë të plota me Ishujt Faroe, atëherë do të siguronte ngjitjen në ligën C.
Edhe UEFA i ka kushtuar vëmendje Kosovës, duke vënë në dukje se nuk pritej kjo paraqitje, pas paraqitjes së dobët në kualifikueset e Botërorit. Po ashtu organi më i lartë i futbollit thekson se skuadra kosovare ka një seri prej 6 ndeshjesh pa humbje, ose e thënë ndryshe në vitin 2018 nuk ka humbur asnjë takim.
“Pasi humbi nëntë ndeshjet e fundit në kualifikimet për Kupën e Botës, Kosova nuk pritej se do të ishte në garë për t’u ngritur një ligë më lartë, por 2018-ta ka qenë një vit i kthimit të befasishëm të anëtarit më të ri të UEFA-s”.
“Drejt ndeshjes së pestë dhe të gjashtë ata hyjnë të pamposhtur nën drejtimin e Bernard Shaland, derisa kanë fituar tri miqësoret e para, para se të merrnin tetë pikë nga katër ndeshje në këtë garë, duke e lënë fatin në dorën e tyre”, përfundon shkrimi në faqen zyrtare.