Kosova largoi Digitalb? FFK i kujton borxhet, reagon Shakohoxha: Si përjashtoni një kompani shqiptare? Presidenti në ikje…

“Digitalb” ka bërë një reagim gjatë ditës së djeshme ku njoftoi se FFK ka përjashtuar mundësinë e marrjes së tenderit për transmetimin e ndeshjeve të kampionatit në këtë trevë të Shqipërisë, duke e quajtur si subjekt të huaj. Në lidhje më këtë çështje, Federata e Futbollit në Kosovë ka dhënë një tjetër version duke thënë se kompania mediatike në fjalë ka borxhe për kampionatin e përfunduar dhe nuk ka asnjë përjashtim të tillë.

“Duam ta sqarojmë se thashethemet e qëllimshme të ngritura nga një kompani mediale rreth tenderit për shitjen e transmetimit të të drejtave televizive të ndeshjeve të Superligës. Sa për informim, kjo kompani nuk e ka kryer obligimin financiar të kampionatit të përfunduar (ka borxhe ndaj FFK-së). Me këtë rast rikujtojmë se tenderi është bërë sipas kritereve, të cilat janë marrë nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe është i hapur për të gjithë pa përjashtim; Kompanitë mediale, agjencitë dhe televizionet që i plotësojnë kriteret juridike, teknike dhe ekonomike. Ofertat shqyrtohen nga komisioni i ngritur për këtë çështje dhe fitues i tenderit shpallet kompania që ofron vlerën më të madhe financiare, shifër e cila më pas ndahet e gjitha për klubet e Superligës e të cilat do të ftohen në takim kur do ta kemi fituesin e këtij tenderi. Prandaj, zërat se FFK-ja e ka përjashtuar dikë nga gara janë shpifje, dezinformata dhe formë shantazhi për t’u përpjekur që ta përfitojnë të drejtën e transmetimeve televizive pa garë konkurruese.

Megjithatë, duhet ta dinë të gjithë se FFK-ja nuk do të lejojë shantazhe të tilla, por do të jetë gjithmonë e prerë për garë të hapur dhe konkurrencë sa më të madhe, në mënyrë që klubet të përfitojnë sa më shumë të hyra nga e drejta televizive, por njëherësh ndeshjet që transmetohen të kenë shtrirje sa më të gjerë tek audienca”, shkruhej në reagim.

Në një intervistë për “Zëri.info”, drejtori i Supersportit, Dritan Shakohoxha, e quan Agim Ademin si presidentin në ikje dhe shprehet se nuk e ka menduar kurrë në jetën e tij se do të vinte koha që një instuticion i Kosovës të përjashtojë një kompani shqiptare.

“Kjo që po bën FFK-ja është e pandershme. Në asnjë rast nuk kam menduar në jetën time që një institucion i Kosovës e përjashton një kompani shqiptare. Nuk e kisha menduar asnjëherë që nga koha e Fadil Vokrrit kur me çunat në Prishtinë, Adin, Andinin, Artorin, Arbërin, Florimin e Leartin, do të vinim në këtë pikë. ‘DigitAlb’ ishte ‘shpirt patrioti’ dhe Fadil Vokrri asokohe nuk mendoi për biznes, por e kërkoi ndihmën e Shqipërisë që ta ndihmojë futbollin e Kosovës, ta ndihmonte futbollin e Kosovës që të dilte në televizion. Vite më parë askush nuk kishte dëgjuar dhe nuk dinte se ekzistonte një ekip si Llapi, Hajvalia ose Feronikeli. Nuk e dinte askush se ekzistonte një Milot Rashica. Ne kemi qenë të obliguar që ta promovojmë shqiptarinë. Shqiptarinë e kemi promovuar edhe kur nuk e njeh Evropa dhe kemi vazhduar ta promovojmë edhe kur e njeh.

Ne kemi transmetuar ndeshje si ajo e Kosovës me Haitin në Mitrovicë, i kemi transmetuar edhe ndeshjet e ekipit shpresa të Kosovës në Zvicër. Të gjitha për ta promovuar futbollin në Kosovë. Superliga e Kosovës ka qenë si fëmijë që e kemi parë në maternitet, tash pas tetë vjetësh ky fëmijë është rritur dhe kjo FFK synon ta na përjashtojë nga tenderi me frikën se mund të japim më shumë para. Unë akoma mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Unë jam i lumtur që nuk është vetëm ‘DigitAlb’ që e do Superligën e Kosovës.

Presidenti në ikje Agim Ademi ka detyrime ndaj dikujt tjetër, ia ka premtuar të drejtat televizive dikujt tjetër. Por UEFA do t’i kryejë shumë shpejt detyrimet e saj dhe do ta pezullojë nga FFK, për shkak se përballet me ligjin, pasi është i dënuar nga Gjykata. Në këto tetë vjet në çdo qytet të Kosovës që e kam vizituar na kanë falënderuar për punën e bërë. Gjithmonë kanë thënë: ‘Faleminderit ‘DigitAlb’. ‘DigitAlb’, ‘SuperSport’ dhe futbolli i Kosovës do ta kenë së bashku dhe do ta ndjekin udhën e suksesit”, ka thënë Shakohoxha. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online