Miqësorja përballë Letonisë është një fillim i ri. Trajneri i përkohshëm, Sahiti, kërkon fitore, ndërsa Bernard Berisha thërret për motivim dhe angazhim maksimal
Ndeshja mes Kosovës dhe Letonisë luhet sot, në orën 19:30, në Mitrovicë. Një test ky për kombëtaren e drejtuar momentalisht nga Sahiti, deri sa të gjendet pasuesi i Bunjakut. Pikërisht trajneri aktual, në konferencën për shtyp, ka theksuar se ky është një test i rëndësishëm. “Si gjithmonë ne përgatitemi për ta fituar ndeshjen, secili prej nesh. Kjo është një lojë shumë e rëndësishme për ne, për futbollistët dhe për tifozët.
Është hera e parë që pas dy vjetësh kthehemi në Kosovë për të zhvilluar ndeshje miqësore. Nuk kanë pasur mundësi shikuesit t’i shohin idhujt e tyre. Kemi shumë futbollistë që paraqiten për herë të parë në Kosovë. Është një moment i veçantë për disa futbollistë të luajnë në vendin e tyre. Motivi dhe dëshira për një paraqitje të mirë dhe rezultat të mirë është jashtëzakonisht e madhe”, është shprehur Sahiti në konferencë për shtyp..
Ashtu si Rrahmani e shumë lojtarë të tjerë të Kosovës, edhe Bernard Berisha pret fitore sot në mbrëmje në “Adem Jashari”. Pas rezultateve negative në kualifikueset e Botërorit, Kombëtarja e Kosovës në futboll do të kërkojë të fitojë pikë të vyera në renditjen e FIFA-s. Përballë këtë radhë është Letonia, në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, një 90-minutësh të cilin lojtarët kërkojnë ta mbyllin me sukses. Ish-mesfushori i Skënderbeut, Bernard Berisha, shpreson që Kosova të arrijë fitoren e parë.
“E kemi vlerësuar shumë këtë ndeshje, për shkak se për herë të parë luajmë si vendas në vendin tonë. Ka qenë një ëndërr dhe sot është bërë realitet”, tha Berisha për Super Sport. “Do mundohemi të japim më të mirën dhe shpresoj shumë që do të arrijmë fitoren e parë. “Duke parë angazhimin e të gjithë lojtarëve dhe trajnerit, them se jemi shumë të motivuar për këtë ndeshje. Do të bëjmë gjithçka që të arrijmë fitoren”, shprehet Bernard Berisha, futbollist i Kosovës.