Kosova e ka marrë vendimin për të mbështetur financiarisht sportin në këto ditë të vështira, ku të gjitha aktivitetet janë ndalur për të luftuar me armikun e padukshëm, Covid-19. Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të kosovës ka firmosur ditën e sotme edhe dy vendimet që synojnë të japin një ndihmë në aspektin monetar për të gjitha sportet në vend. Kështu fondi për Federatat dhe sportistët është çelur dhe janë bërë të njohura edhe shifrat që do të shpërndahen në këtë periudhë izolimi. Sipas asaj që raporton “Gazeta Olle” është bërë një kategorizim në 4 grupe të ndrsyshme, që përcakton edhe shumën e parave që do të jepen. Ndërkohë sportistët dhe trajnerët pritet të arkëtojnë nga 150 euro në muaj gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë një rrugë e tillë duhet të ndiqet edhe nga qeveria Shqiptare, që mund të marrë shembull nga Kosova. Federata Shqiptare e Futbollit, klubet e futbollit, si dhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë kanë dorëzuar prej ditësh kërkesat e tyre në drejtim të kryeministrit Rama, ku kërkojnë që të përfshihen edhe sportistët në listën e të kompensuarve nga kjo situatë aspak normale që vendi ynë si dhe gjithë bota po përjeton. Vetë Andi Lila do të shprehej që futbollistët e Superiores të merrnin nga 500 mijë lekë, ndërsa më pak të akordoheshin për futbollistët e kategorive më të ulta. Megjithatë deri tani nuk ka një njoftim nga qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje, edhe pse duhet të reagojë e të çelë fondin e financimit për sportin, që e ka të vështirë të rimëkëmbet nëse gjendja vijon të mbetet e tillë./Sport Ekspres/