Korabi i “sakatuar” në Shkodër, Mëziu: Shtatë të rinj titullarë ndaj Vllaznisë

Pas ndeshjeve të javës së 22-të të Kategorisë së Parë, në Grupin A është Vllaznia që komandon zonën Play-off dhe matematikisht e ngjitur në Kategorinë Superiore. Ndërkohë që këtë javë skuadra shkodrane do të ketë mysafir Korabin e Peshkopisë, ku edhe pritet që të festohet ngjitja në elitë. Nga ana e skuadrës dibrane përgatitjet janë bërë për të arritur edhe një rezultat pozitiv, edhe pse zëvendëstrajneri Donald Mëziu deklaron se në Shkodër do të shkojnë me shumë mungesa.

“Pavarësisht se do të luajmë në Shkodër ndaj Vllaznisë, ne do të kemi 7 mungesa të në formacionin bazë. Osmani, Skuka, Dida, Trimi, Koçi, Kalluçi dhe Hoxha nuk do të jenë titullarë si zakonisht, por kjo nuk nënkupton nënvleftësim nga ana jonë, i cili as nuk mendohet. Por vetëm me skuadra të mëdha ne kemi mundësinë që të testohemi realisht, e në këtë rast të provojmë disa futbollistë të rinj”, kështu theksoi fillimisht Mëziu në deklarimin e tij për SportEkspres.com.

Ndërkohë që zëvendëstrajneri dibran tregon edhe arsyen e këtij formacioni që do të hedhin në ndeshjen ndaj Vllaznisë, por edhe mbështetjen për futbollistët e rinj. “Ne shpresojmë të luajmë me rivalitet dhe të nxjerrim një ndeshje të bukur. Në këtë aspekt, besojmë shumë se të gjithë lojtarët që do të aktivizojmë do japin maksimumin e tyre. Nuk do jemi inferiorë, për të thënë se synojmë një rezultat pozitiv”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *