Trajneri i Çelsit ka folur edhe për të ardhmen: “Jam i lumtur në Angli dhe te Çelsi, ndaj dua të respektoj kontratën time deri në 2019-n, por duhet që edhe pala tjetër ta dojë këtë”
Në një intervistë të dhënë për “Premium Sport”, pas barazimit ndaj Barcelonës, trajneri i Çelsit, Antonio Konte, që edhe gjatë takimit ishte si mbi gjemba dhe në fund nuk e fshehu zhgënjimin për atë gabim të futbollistëve të tij, tha: “Të vjen keq për këtë barazim. Ndihem vërtet i hidhëruar për mënyrën se si shkuan gjërat. Kur luan këto ndeshje kundër ekipesh të forta dhe të mëdha si Barcelona, duhet të zhvillosh ndeshjen perfekte për të fituar.
Dhe, për 9/10 kemi zhvilluar ndeshjen e duhur, por për fat të keq gabuam te i vetmi gabim i yni. Nuk ishim me fat, të vjen keq sepse ndeshjen e kishim përgatitur shumë mirë. Do të duhet një ndeshje e madhe në “Camp Nou”, edhe pse kualifikimi është ende i gjatë. E ardhmja ime? Në 14 vjet janë ndërruar 10 trajnerë, shtypi luan pak te kjo pjesë sapo ka rezultate jo të mira. Që në javën e parë të kampionatit, pas humbjes ndaj Barnleit, flitej për dështim”, u shpreh Konte, që më pas i ngacmuar në lidhje me një rikthim të mundshëm në Itali dhe, pse jo, te bankina e axurrëve, tha: “Italia? E kam thënë në mënyrë të qartë, kam kontratë deri në vitin 2019. Dua ta respektoj. Të paktën, ky është qëllimi im. Në futboll mund të ndodhë çdo gjë. Te Çelsi ndihem shumë mirë, por duhet që edhe pala tjetër të jetë e lumtur me mua. Qëllimi im është që të vijoj në këtë aventurë të nisur”.