Konkurrenca i rrezikon stolin? Karabeci nuk i druhet!

Erando Karabeci e ka nisur nga stoli në miqësoren e sotme, por sigurisht që kjo vjen edhe pasi trajneri Ze Maria dëshiron të aktivizojë të rinjtë dhe të përshtaten me ritmin e ndeshjeve dhe skuadrën. Pas ndeshjes, kapiteni ka argumentuar për mediat: “Kur aktivizohesh nga stoli e ke të vështirë, pasi ke nevojë të nxehesh dhe të jesh në ritmin e ndeshjes. Por, normalisht janë ndeshje ku bëhen prova dhe eksperimente, ndaj për të gjithë ka hapësira të marrin ngarkesën e duhur. Nuk ka rëndësi rezultati në fazën përgatitore”.

E megjithatë, Karabeci kur u fut tregoi nerv dhe grintë. Ja se si e shpjegon ai: “Tani, po nuk pate nerv, më mirë qëndro në shtëpi dhe mos eja të luash futboll”.

Por, a do të mund kjo Tiranë të jetë protagoniste, duke e nisur vitin nga zero, pas rënies nga kategoria? “Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet të shohim se si do të organizohet ekipi, pasi nuk është se jemi të kompletuar plotësisht, kemi ende nevojë për dikë. Vazhdimësia ka rëndësi, sepse Superliga nuk është Kategoria e Parë. Kemi ekipe cilësore përballë që kanë edhe ato pretendimet e tyre. Prandaj duhen edhe të tilla ndeshje, për të parë ku jemi dhe çfarë na duhet”.

“Sigurisht, presioni te Tirana është shumë i lartë, pasi të luash këtu nuk është njësoj si diku tjetër. Konkurrenca na bën shumë punë dhe rrit të gjithë. Kërkesat janë të larta dhe të arrihet maksimumi. Uroj që lojtarët e rinj të kuptojnë çfarë fanelle veshin. Mendoj që të rinjtë do të na ndihmojnë dhe kampionati është i gjatë, ndaj do të duhet ndihma e të gjithëve”.

I pyetur për faktin nëse i druhet konkurrencës, pasi ka shumë në atë rol, kapiteni Karabeci u përgjigj: “Që të jem i sinqertë, në karakterin tim nuk i druhem asgjëje. Nëse impenjohem në maksimum, do të jem në fushë. Ndryshe, dikush më i zoti do të luajë. Por, unë do të jap më të mirën time për Tiranën. Besoj se mund të bëjmë një sezon të mirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *