Xhofri Kondogbia vendosi të mos luante më me Francën, duke zgjedhur Republikën e Afrikës Qendrore. Mesfushori i Valencias zhvilloi vetëm pesë ndeshjes miqësore me Kampionët e Botës, ndërsa me datë 12 tetor debutoi me kombëtaren e tij të origjinës.
Rezultati ishte i hidhur, sepse Bregu i Fildishtë fitoi me rezultatin 4-0, por 25-vjeçari nuk do e harrojë kurrë ktë datë. Emocione të forta të përjetuara, të cilat lojtari i sqaron më mirë në prononcimin e tij për “RFI.fr”.
“Ndjej një krenari të madhe. Mbi të gjitha, provova shumë emocione. Që kur arrita në Bangui më kanë kaluar shumë imazhe në kokë. Hera ime e parë këtu në Republikën e Afrikës Qendrore, vendet ku janë rritur prindërit e mi… Mendoj dhe për gjyshen time, e cila vdiq këtu para pak kohësh. Gjithmonë kam dashur të luaj për këtë kombëtare, ishte ëndrra ime. Prindërit, miqtë dhe familjarët nuk ishin dakord. Mendoj se ka patur të bëjë me karrierën time.”
“Në fillim i injorova dëshirën time. Provova të luaja duke i thënë vetes: ‘Po, është një avantazh për karrierën time’. Por, gjithmonë kam dashur të luaj për Republikën e Afrikës Qendrore. Kjo është arsyeja kryesore. Ndihem francez dhe afrikano-qendror. Që i vogël mendoja se kontributi im do të ishte më i dobishëm për Republikën e Afrikës Qendrore sesa Francën. Do përpiqem të jap maksimumin, por nuk bëj premtime. Dua të sjell eksperiencën time dhe misioni im është të ndihmoj kombëtaren”, përfundon mesfushori i Valencias.