Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar sot propozimin për shpërndarjen e re të orareve të zhvillimit të ndeshjeve në kampionatet “Abissnet Superiore” dhe Kategoria e Parë, një vendim që do të hyjë në fuqi duke nisur nga sezoni sportiv 2026–2027.
Ky vendim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të FSHF-së për të përmirësuar organizimin e garave kombëtare, duke krijuar një strukturë më funksionale të kalendarit të ndeshjeve dhe duke garantuar njëkohësisht përshtatshmërinë me kërkesat e transmetimeve televizive.
Vendimi është hartuar nga Departamenti i Garave, në bashkëpunim me Komisionin e Ligave dhe Garave, pas konsultimeve me drejtuesit sportivë të klubeve të “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë.
Sipas rregullores së miratuar, duke filluar nga sezoni 2026–2027, ndeshjet e kampionateve profesioniste do të zhvillohen në katër fasha të përcaktuara orare:
13:30
16:00
18:30
21:00
Në rastet kur nuk do të ketë ndeshje të ekipeve kombëtare në mesjavë, ndeshjet e kampionateve do të planifikohen të zhvillohen të premten, të shtunën dhe të dielën.
Ndërsa në periudhat kur ekipet kombëtare do të kenë angazhime në mesjavë, ndeshjet do të zhvillohen të premten dhe të shtunën, me qëllim që futbollistëve t’u krijohet koha e nevojshme për rikuperim dhe përgatitje. Në raste të veçanta organizative ose për arsye të tjera specifike, ndeshje mund të programohen edhe ditën e hënë.
Me këtë vendim, Federata Shqiptare e Futbollit synon të rrisë cilësinë e organizimit të kampionateve, të optimizojë kalendarin e garave dhe të ofrojë kushte sa më të mira për klubet, futbollistët, transmetuesit televizivë dhe tifozët, duke garantuar një zhvillim më efikas dhe profesional të futbollit shqiptar.