Komisioni i Disiplinës ka zbardhur vendimet për sa i përket ndeshjeve të zhvilluara në mesjavë. Bylisi duhet të kënaqet vetëm me një paralajmërim, pasi në rast se dështon sërish të përmbushë përgjegjësitë, atëherë do të marrë ndëshkimin që përmban rregullorja. Ndërkohë një tjetër ekipi i Superiores e gjen veten në listën e dënimeve.
Bëhet fjalë për të sapongjiturit e Kastriotit, zyrtari i të cilëve, Genci Lama, pezullohet për 8 ndeshjet e radhës për shkak të sjelljes jo sportive në drejtim të zyrtarit të takimit që u luajt kundër Partizanit. Nga ana tjetër, një kategori më poshtë, Luftëtari humbet ndeshjen e parë në tavolin për shkak të mosparaqitjes në fushën e lojës si dhe pëson një zbritje prej 3 pikësh në tabelën e klasifikimit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Vendimet e plota:
1. KF Bylis, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në pëmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
2. Zyrtari i KS Kastrioti, Genci Lama për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të Nenit 19 të KDS zyrtarit i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe ambientin përreth fushës.
3. KF Luftëtari, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kategorisë së Parë kundër KF Pogradeci, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe Nenit 109/2/d të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
4. Lojtari i SHS Përmeti, Stavro Bidika, për goditje me shkelm ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
5. Zyrtari i SHS Përmeti, Bledar Hajredini, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 55/2 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
6. Lojtari i FK Elbasani U-19, Emanuel Abdiaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.