Komisioni i Disiplinës ka zbardhur vendimet për javën e shkuar të kampionatit shqiptar të futbollit. Ajo që vihet re menjëherë është se Superiorja mungon në këtë listë, duke e kaluar në këtë mënyrë klasën sa i përket sjelljes së skuadrave në javën e 29 të kampionatit. Ndërkohë dënimet kanë qenë të pakta edhe në kategoritë inferiore.
Janë vetëm 5 vendime të nxjerra nga Komisioni i Disiplinës, ku kemi dy pezullime lojtarësh me 4 dhe 5 ndeshje, përkatësisht në ekipin e Internacional Tirana si dhe Ada për shkak të sjelljes jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Gjithashtu dënim ka pasur edhe për zyrtarin e Selenicës, Idrizi, i cili është pezulluar me 8 ndeshje nga kompeticioni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Vendimet e Komisionit të Disiplinës:
1. Lojtari i F.C Internacional Tirana, Egis Daci, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
2. Lojtari i KF ADA, Safet Rekaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
3. Zyrtari i KF Selenica, Sherif Idrizi, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të nenit 48/2/a të KDS dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
4. KF Bylis U-17, për mos paraqitje në ndeshjen kundër KF Butrinti U-17, në bazë të Nenit 109/2/d të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dhe Nenit 30/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, si dhe i hiqen 3 pikë nga klasifikimi.
5. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të FK Tërbuni, Serdar Zagani, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.