Komisioni i Disiplinës paralajmëron Vllazninë, klubi i bën thirrje tifozëve: Do ketë pasoja të renda

Komisioni i Disiplinës ka zbardhur vendimet ditën e sotme, ku ka dhënë një paralajmërim në drejtim të klubit të Vllzanisë. Shkak është bërë thyerja e Protokollit Sanitar të FSHF-së, duke lejuar hyrjen në shkallët e stadiumit të më shumë personave se sa numri i limituar. Menjëherë pas paralajmërimit nga Disiplina klubi shkodran ka vendosur të reagojë përmes faqes zyrtare në “Facebook“, aty ku i bën thirrje tifozëve që për të mirën e skuadrës të mos jenë të pranishëm në stadium.

“Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së në mbledhjen e tij të sotme ka paralajmëruar KF Vllaznia se në rast përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive duke mos respektuar Protokollin Sanitar të FSHF-së dhe Urdhrin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

Për këtë arsye, kërkojmë nga ana e tifozëve tanë të zjarrtë të na mirëkuptojnë sepse jemi të detyruar të zbatojmë këto rregulla sepse ndryshe pasojat do të jenë të rënda për klubin tonë. Në stadium do të jenë vetëm 20 persona (jo tifozë), pikërisht drejtuesit e klubit, stafi administrativ si dhe sponsorët. Edhe njëherë tjetër, ju kërkojmë të na mirëkuptoni! Vllaznia mbi të gjitha”, njofton klubi i Vllaznisë përmes faqes zyrtare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *