Komisioni i Disiplinës/ Futbollisti përjashtohet përjetë, Disiplina vendos me dorë të hekurt

Komisioni i Disiplinës ka thënë fjalën e tij dhe nuk është treguar aspak dorëlëshuar. Vendime me dorë të hekurt kanë ardhur këtë herë, ku kemi të bëjmë edhe me përjashtim përjetë nga futbolli. Bëhet fjalë për futbollistin e Adës, Valter Perndrecaj, i cili goditi me grusht gjyqtarin e takimit, pasi nuk ishte dakort me vendimin për të akorduar penallti. Lojtari u shoqërua në rajonin e policisë, ndërsa tashmë duhet të harrojë edhe futbollin.

Ndërkohë edhe futbollisti i Delvinës, Mario Bilo, do të përballet me një dënim të vështirë, pasi për plot 2 vite është pezulluar nga aktiviteti sportin. Ishte një gjest si ai i Grezdës në Skoci, që i ka sjellë këtë dënim, pasi ka pështyrë zyrtarin e ndeshjes. Kësaj here as Superiorja nuk i ka shpëtur verdikteve të Disiplinës, teksa Malota i Vllaznisë si dhe Souza i Flamurtarit nuk do të kenë të drejtë të zbresin në fushë për 4 ndeshjet e ardhsmje./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Vendimet e Komisionit të Disiplinës:

1.KF Luftëtari, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
2.Lojtari i KF Vllaznia, Renato Malota, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
3.Lojtari i Flamurtari FC, Souza De Oliveira Odaildo, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
4.FC Lushnja, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
5.Lojtari i Vllaznia B, Rigers Sekja, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
6.KF Ada, për shkak të aktivizimit të një lojtari i cili ishte i pezulluar, në bazë të Nenit 53 të KDS i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
7.Lojtari i KF Ada, Valter Perndrecaj, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Neneve 11/1/e, 11/1/f, 38, 39, 48/1/b dhe 55/1 të KDS përjashtohet përgjithmonë nga çdo aktivitet futbollistik.
8.Lojtari i KF Delvina, Mario Bilo, për pështymje ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/c të KDS dënohet me 24 (njëzet e katër) muaj pezullim nga aktiviteti futbollistik.
9.Zyrtari i FC Gramozi, Ilir Qirjako, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/2/a të KDS dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
10.Zyrtari i KF Shkodra U-19, Rudi Piraniqi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/2/a të KDS dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
11.Pranimin e kërkesës së zyrtarit të KF Tirana U-17, Fatjon Muhameti. Faljen e dënimit pasi nga provat filmike të paraqitura në cilësinë e provës së re nuk rezulton fajtor.
12.Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Tirana U-17, Amarildo Karaj. Faljen e dënimit pasi nga provat filmike të paraqitura në cilësinë e provës së re nuk rezulton fajtor.
13.Pranimin e kërkesës së lojtarit të FK Memaliaj, Iljas Bega. Pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 32/4/5 të KDS lojtari vendoset ne provë për një afat 6 muaj dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *