Nga Klaudio Ndreca
Disa duan ta pranojnë dhe të tjerë jo, por Shqipëria është e pushtuar nga formati i ri televiziv i quajtur “Big Brother Albania VIP”. Shifrat flasin qartësisht me rreth 150 mijë ndjekës në kohë reale të këtij “reality show” në Youtube. Mbështetja e madhe e shqiptarëve për Luiz Ejllin, një prej konkurrentëve që vjen nga Shkodra, “infektoi” futbollin dhe arriti deri në një protestë të organizuar për të.
Të gjithë pas Luizit, por Shkodra është edhe e Alban Xhaferit. Presidenti i Vllaznisë ka fituar dashurinë e ambientit në vend. Një dashuri e paralajmëruar që në nisje, mund të quhet nga ato me shikim të parë. Pas suksesit të tij me basketbollin, shumë persona “iu lutën” Xhaferit që t’i ndihmonte edhe në ekipin e futbollit.
E për të qenë të sinqertë, Vllaznia kishte kohë që i bënte llogaritë me vendet e fundit dhe shihej si sukses kur shpëtonte pa rënë nga Superiorja. “Iku edhe një vit tjetër”. Me ardhjen e këtij presidenti, gjithçka ndryshoi. Shkodranët po ëndërronin për titullin kampion dhe fituan Kupën e Shqipërisë. Me gjakun e nxehtë ballkanas dhe për më tepër me gjakun shqiptar që vlon, të gjithë kërkojmë maksimumin.
Fundja përderisa kërkojmë nga Kombëtarja që të kualifikohet në çdo Europian apo Botëror, kur vetëm njëherë në historinë e saj arriti në Francë, çfarë mund të thonin tjetër te Vllaznia kur dihet historia e tyre e dikurshme? Sigurisht, futbolli është vetë paralelizmi i jetës, askush nuk pyet se kush ke qenë, por cili je. Kohët kur ndeshjet fitoheshin me fanellë kanë ikur, dëshmia më e mirë u pa edhe në Botërorin e Katarit.
Kështu Alban Xhaferi u kthye në një personazh të shumë diskutuar në shtëpinë e shkodranëve, jo atë të “Big Brother”. Shumë mund ta kundërshtojnë pasi e duan ekipin e tyre si fitues të Superiores apo edhe në grupet e Champions League, por të gjithë e dinë se më mirë në kaq pak kohë, askush tjetër nuk mund të bënte.
Qershia mbi tortë vjen me Bekim Balajn. Sulmuesi i Kombëtares kthehet dhe vesh fanellën e shkodranëve, duke refuzuar çdo ofertë tjetër. Pavarësisht dashurisë që ka për vendin e tij, sigurisht që Balaj nuk mund të vinte në një Vllazni që ishte “në pikë të hallit”. Kritikët tregojnë statistikat negative të Bekimit, por vetë interesi i shumë klubeve shqiptare për ta marrë atë tregon shumë për këtë sulmues.
Zyrtarizimi i tij është markë për Vllazninë dhe Superioren, është besim i dhënë për ekipin se tani mund ta arrijnë titullin kampion, është afrim dhe mbushje e shkallëve të stadiumit nga ana e tifozëve. Pra, lëvizje të tilla janë shumë më tepër sesa një top i shtyrë drejt rrjetës. Këtë e di më së miri edhe Xhaferi që kishte punuar prej kohësh për një lëvizje të tillë dhe tani i sjell dhuratën Vllaznisë. Në kaq pak kohë që është pjesë e futbollit shqiptar, padyshim që duhet të urojmë që më shumë persona si Xhaferi të jenë president të ekipeve të Superiores. Gjithsesi, urime Shkodrës për shpëtimin e Luizit, tani është koha e luftës për titullin kampion, duken në duar të sigurta. /Sport Ekspres/