Koment/ “Kirurgu” Vanoli hoqi dorë nga operacioni, plaga e Dinamos është e pashërueshme!

Nga Klaudio Ndreca

Pasi disa shqiptarë e kishin parë më nga afër problemin e Dinamos, siç ndodh gjithmonë, pacientit shqiptar i besohet edhe një specialisti të huaj për t’i dhënë ekzaminimin e fundit. Ajo humbje me Tiranën mbushi sadopak me shpresë për vetëm mënyrën e lojës, dinamovitët merrnin ende frymë. Por në këtë përballje të fundit ndaj Egnatias, u vulos përfundimisht gjithçka, Kategoria e Parë është vetëm një hap larg.

Aparaturat nisën të tregonin se rrahjet kishin marrë fund, trupi nuk po përgjigjet më. E teksa tifozët nisin të qajnë për këtë që ndodhi, “kirurgu” i huaj del me nder dhe jep dorëheqjen nga operacioni, tani nuk ka më shpresë. I pyetur nga specialistët e “Supersport” se përse janë lënë jashtë Imami dhe Sofranac, duke i veshur sadopak përgjegjësi, Vanoli doli menjëherë nga skena ku nuk ishte protagonist dhe që nuk i përkiste.

“Kanë luajtur më para dhe i keni parë rezultatet”. Praktikisht stoli i Dinamos ishte një formacion i parë: “Imami, Sofranac, Reginaldo, Demiri, Denison, Mihana, Prodani”. E si për të përmbyllur gjithçka, trajneri i Dinamos ka thënë se do t’i besojë lojtarëve të rinjë tanimë, duke e llogaritur të mbyllur historinë e këtij sezoni.

Sido të shkojë historia deri në fundin e këtij sezoni në fakt, askush nuk ka “fytyrë” për të kritikuar “kirurgun italian”, i cili që në ditën e parë shprehet se pacienti i erdhi “i paje.të”. Madje duke guxuar edhe më tej për të thënë se babai i këtij pacienti, presidenti i klubit, është treguar më i mirë se duhet me të duke i plotësuar çdo kërkesë të mundshme. Vanolit i lejohet të bëjë gjithçka, të eksperimentojë, të bëjë çudira dhe askush nuk mund ta kritikojë, fundja, me shumë të drejtë… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *