Koment/ Çfarë leksioni duhet të marri Shqipëria nga Kroacia! Ja sesi luhet për kombin çuna, nuk fitohet me Plisa dhe flamuj!

Nga Klaudio Ndreca

Të gjithë tifozët në Shqipëri janë gëzuar për fitoren e Kroacisë ndaj Brazilit, atë me penallti që i dërgoi kroatët në gjysmëfinalen e Botërorit. Duke parë lidhjen e ngushtë mes tifozerive, padyshim që Kroacia është më e preferuara për shqiptarët. Sigurisht, duke hequr një pjesë të madhe të tifozëve shqiptarë që janë tifoz me Brazilin dhe kurrsesi nuk mund të jenë të lumtur nga fati i këtij takimi.

Por le të shkojmë paksa përtej tifozerisë për Brazilin, Gjermaninë, Anglinë dhe Francën, të kthehemi në interesin tonë të përbashkët, Shqipërinë. Atëherë, çfarë na mësoi kualifikimi i Kroacisë ndaj Brazilit? Pikësëpari ishte një leksion për të treguar sesi luhet për kombin tënd, jo duke tundur flamujt para ndeshjes dhe duke vendosur plis në kokë për të rrëmbyer ovacione tifozësh.

Sesa vlen dhe sa realisht e do kombin tënd, mundësia e vetme për ta treguar është fusha. Në nisje të takimit trajneri Daliç tha këto fjalë: “Jam në hall të madh. Nëse luajmë mbrapa ndaj Brazilit, do të na v.rasin me posedimin e topit. Nëse dalim përpara, do të na godasin mbrapa shumë herë. Do të shohim se çfarë do të bëj”.

Në fund ishte e adhurueshme të shihje sesi lojtarët e Kroacisë luftuan për 120 minuta, vrapuan në çdo sekondë dhe nuk e ulën kurrë përqendrimin, si të ishte ndeshja e fundit e jetës së tyre. Ndërsa në ato momente kur e kishin topin në zotërim, gjithmonë ishin të guximshëm.

Pra leksioni i parë është sakrifica për fanellën e Kombëtares dhe një finale që luhet si të jetë ndeshja e fundit e jetës. Leksioni i dytë është shumë i thjeshtë: “Grupi e mund individin”. Kjo u tregua edhe njëherë tjetër se një ekip kompakt në grup, me emra thuajse të panjohur në krahasim me kundërshtarin, mund të arrijë të fitojë, pavarësisht individëve që ka ky i fundit.

Gjithashtu pak leksion duhet të ketë në veçanti edhe për Armando Brojën. Sulmuesi i Chelsea e pëlqen dhe i afrohet më shumë stilit të të menduarit të futbollit si brazilianët. “Nuk kam asnjë presion, dua të argëtohem në fushë”, tha asokohe sulmuesi ynë, teksa Shqipëria po përgatiste dy finalet e Ligës së Kombeve.

Tashmë u konfirmua edhe njëherë tjetër se argëtimi në fushë të bën që gjithmonë të dështosh. Brazilianët u argëtuan shumë, po argëtoheshin shumë edhe ndaj Kroacisë, duke menduar se do të fitonin në çdo moment dhe duke shpërdoruar shumë raste të pastra. Madje kishin përgatitur edhe 10 mënyra kërcimi për të festuar ndryshe çdo gol të tyre.

Por siç e këshilloi edhe Aubameyang, Broja duhet ta mendojë çdo mundësi që i vjen para portës si të ishte mundësia e fundit e ndeshjes. Argëtimi në fushë nuk po i sjell dot rezultate as Brazilit, çfarë mund të presim te Shqipëria? Në fund gjithçka është e qartë: “Duhet t’i japim më pak gojës në deklaratat para ndeshjes dhe më shumë këmbëve në ndeshje”. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online