Ekipi Kombëtar U-19 ka zyrtarizuar dy ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së Malit të Zi U-19 në muajin qershor. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy federatat kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy sfidave në datat 5 dhe 7 qershor. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Malin e Zi, më 5 qershor, në ora 17:30, teksa përballja e dytë do të luhet në po të njëjtën orë në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Këto janë dy ndeshje mjaft të vlefshme për skuadrën dhe stafin e Kombëtares U-19, me në krye trajnerin Armando Cungu, në kuadër të përgatitjeve që ekipi po zhvillon për eliminatoret e Kampionatit Europian 2022/2023 me ndeshjet që do të zhvillohen në muajin shtator në Belgjikë, e ku kuqezinjtë janë shortuar në Grupin 7 së bashku me Spanjën, Belgjikën dhe Rusinë, teksa kjo e fundit është pezulluar nga të gjitha kompeticionet e UEFA-s dhe nuk do të jetë pjesë e këtyre eliminatoreve.
Duke qenë se janë data zyrtare trajneri trajneri Cungu do të ketë mundësi të ftojë të gjithë lojtarët e mundshëm, jo vetëm ata që aktivizohen në kampionatin shqiptar, por edhe ata që luajnë në kampionatet e huaja. Data se kur do të nisë grumbullimi dhe lojtarët e ftuar për këto dy sfida miqësore do të bëhen me dije në ditët në vijim në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.