Kombëtarja, merkatoja, lojtari i preferuar: Kristi Qose “hap kartat” nga Sllovakia

Kristi Qose i ka hedhur hapat e parë në futboll në Greqi, ku ka qenë pjesë e PAOK. Tanimë luan në Sllovaki me Ruzomberok dhe po paraqitet mjaft mirë. Sezoni i dytë aty, pesë gola të shënuar në kampionat deri më tani. I fundit dje ndaj Solvan Bratislava. Në të shkuarën ka qenë pjesë e MFK Zemplin, kurse në Greqi ka luajtur edhe me Panserraikos.

Në Sllovaki ka gjetur veten dhe 23-vjeçari ka objektivat e tij, që i tregon në një intervistë të dhënë për “SportEkspres.com”. Qose tregon rritjen e tij, “sekretin” e formës dhe dëshirën e madhe për të veshur fanellën e kombëtares sërish.

Në vitin 2014 luante kundër San Marinos dhe De Biazi i dha një shans korçarit, i cili pret sërish të kthehet te kuqezinjtë. Një temë diskutimi me mesfushorin ishte edhe e ardhmja dhe Serie A është kampionati i preferuar. Po lojtari të cilit i ngjan. Taulant Xhaka.

INTERVISTOI: VLADIMIR PRENGA

Kristi, prej tre sezonesh luani në Sllovaki dhe po bëni mirë. Si ndiheni atje dhe cili është sekreti i formës tuaj?
-Ndihem shumë mirë këtu në Sllovaki. Të gjithë më respektojnë shumë. Nuk është se kam ndonjë sekret për paraqitjet e mia, veç stërvitjes që bëj me shokët e mi dhe individualisht.

Në të shkuarën keni luajtur në Greqi, keni provuar te debutoni edhe në Superligë me PAOK-un. Asokohe patët mundësinë të luanit edhe me kombëtaren. Çfarë mbani mend nga ai grumbullim dhe debutimi juaj?
E mbaj mend shumë mirë atmosferën fantastike nga tifozët, edhe pse ishte vetëm një ndeshje miqësore.

Ju mungon një atmosferë e tillë? E prisni sërish një ftesë dhe a keni pasur ndonjë kontakt me anëtarë të stafit të kombëtares këto kohë?
-Po e pres ftesën me padurim. Nuk është se kam pasur kontakte këto kohë, por dua patjetër ta përjetoj sërish një atmosferë të tillë në një ndeshje zyrtare të kombëtares.

Sa besoni se mund të vijë ky moment?
-Shpresoj të ndodhë shpejt, por nuk e kam problem edhe të pres. Më mirë vonë, se sa kurrë.

Kalimi në një kampionat më të fortë ndoshta do t’iu ndihmonte…
-Kam pasur disa oferta, madje edhe zyrtare. Por klubi i ka refuzuar. Shpresoj të kem edhe ndonjë tjetër në janar.

Ku do kishit dëshirë të luanit në të ardhmen, në cilin kampionat mendoni se do e kishit më të lehtë të përshtateshit?
-Kam dëshirë që të luaj në Itali dhe mendoj se i kam mundësitë të aktivizohem atje.

Çfarë ka ndodhur me ju, pasi edhe po shënoni shpesh gola?
-Po luaj në pozicionet “6” ose “8”. Kështu, kur më jepet shansi të ngjitem në zonë e bëj. Gjuaj nga larg sa herë që më jepet mundësia. Deri më tani më ka ecur dhe kam shënuar.

Sa ju ka ndihmuar kjo eksperiencë në Sllovaki për t’u rritur si lojtar?
-Më ka ndihmuar shumë. Këto tre vite i kam luajtur të gjitha ndeshjet, edhe në Europa League. Shpresoj të transferohem shumë shpejt.

E mendoni një rikthim në Greqi?
-Për momentin nuk e mendoj. Fillimisht dua të jem i suksesshëm me ekipin tim këtu. Po pres ftesë nga kombëtarja dhe një transferim në ndonjë ekip të fortë.

Nisur nga stili i lojës, me kë lojtar mendoni se ngjani. Po i preferuari juaj kush është?
-Më pëlqen Taulant Xhaka dhe mendoj se edhe stilin e lojës e kemi të njëjtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *