Nga Endri Çinari
Vllaznia e këtij sezoni duket se do jetë ndër pretendentët kryesorë për fitimin e Superligës. Cilësinë e tyre shkodranët e treguan edhe në Europa Conference League ku shfaqën një futboll shumë cilësor dhe një nga elementët që ra në sy ishte veçanërisht Mehdi Çoba.
Sulmuesi i ri shkodran duket se po i bën të gjithë për vete tek kuqeblutë. Lojërat e tij të mira kanë qenë të vazhdueshme gjatë përgatitjeve dhe miqësoreve para sezonale. Ku 21-vjeçari ka kontribuar me gola dhe asiste për kuqeblutë. Duke treguar kështu cilësi dhe vendosmëri për një vend titullari tek Vllaznia pavarësisht afrimeve të shumta të futbollistëve tek kuqeblutë.
Por tashmë pas gjithë kësaj periudhe shumë pozitive personale, Çoba me shumë mundësi do ketë një ftesë edhe nga kombëtarja u-21 e drejtuar nga Alban Bushi. Çoba në vazhdimësi ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave dhe tani me shumë mundësi do ketë debutimin edhe me u-21 të kuqezinjve.
Performanca e tij nuk do lihet në harresë dhe Çoba si shumë lojtarë të tjerë të Superligës i duhet dhënë shansi të tregojë vlerat e tij edhe me kombëtaren. Tani na duhet të presim vetëm për listën zyrtare të kombëtares për ndeshjet e shtatorit për të shikuar “yjet” e rinj kuqezi. /Sport Ekspres/