Afrim Tola, ish-lojtari i Partizanit dhe Tiranës ka komentuar derbin e sotëm. I ftuar në “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari, Tola ka thënë se të kuqtë do të jenë favorit për të fituar në këtë përballje.
“Bukuria e këtij kampionati është që po ndahet te derbi, nuk kishte ndodhur prej shumë vitesh. Shoh Partizanin pak më të konsoliduar, po vjen në ngritje, ndërsa te Tirana ka edhe shumë mungesa. Ajo që më ka pëlqyer te Kolela është se ka bërë grup të mirë, gjithashtu më bëri përshtypje që i la lojtarët të lirë, të rrinin në shtëpi, e ka marrë si ndeshje rradhe. Për mua ka bërë shumë mirë që ka vepruar kështu.
Unë jam formuar te Partizani, por kam luajtur edhe me Tiranën. Është e vështirë që të zgjedh, por këto janë fanellat më të bukura në Shqipëri, sidomos te Tirana e kanë të shenjtë fanellën. Në shumë pak derbi mund të shohësh futboll të bukur, e tillë është një ndeshje derbi. Unë e shoh Partizanin pak më të avantazhuar sot për shkak të organikës. Më herët kam qenë në mëdyshje për derbin, por tani e shoh Partizanin më mirë për shkak se po vjen në rritje dhe mungesave që ka Tirana”, tha Tola. /Sport Ekspres/