Pothuaj 30 vite më parë, klubet shqiptare pavarësisht se nuk kishin një numër të lartë kualifikimesh, habisnin veten dhe kundërshtarët, me një futboll agresiv, cilësor dhe herë pas here fitues. Në atë periudhë sidomos në Shqipëri, numërohen disa rezultate impresionuese. Dinamo që barazonte me Sportingun e Lisbonës, Vllaznia dhe Partizani që mundnin Austrinë e Vjenës, Flamurtari që barazoi dy herë dhe fitoi një herë kundër Barcelonës, apo kualifikimet historike me Partizan Beogradin e Dinamo Bukureshtin ishin sinjale që futbolli jo vetëm merrej seriozisht, por diferencat nuk ishin aq të mëdha, sepse ndaheshin te kufiri i kualifikimit, aty ku për hir të së vërtetës nuk ishim dhe aq dominues. Megjithatë, është një dekadë për tu respektuar dhe studiuar. Shqipëria e vogël dhe e izoluar, luante pothuajse si e barabartë kundër gjigantëve të futbollit të kontinentit. As më parë e sigurisht as më pas, të kualifikohesh për shembull ndaj Partizan Beogradit – atë që bëri Flamurtari – jo vetëm që nuk është e thjeshtë, por do konsiderohej e bujshme.
Kohërat kanë ndryshuar, gjeografia e forcës së futbollit gjithashtu, sistemet e kupave të Europës, po e po. Në kohërat moderne Skënderbeu meriton respekt. Dy vite më parë luajti në grupet e Europa Ligës si pasojë e një rruge që e pa dy herë fitues në Champions kundër Krusejdwrs dhe Milsamit, ndërkohë që atje në arenën e madhe arriti madje të mundte dhe Sportingun, fitues më parë të Kupës së Kupave. 3-0. Hera e fundit që një skuadër shqiptare kishte luajtur me një fituese europiane datonte në 1994, me Teutën që mundohej të përmbante Parmën. Në vitet 80’ kampionët e mëdhenj kishin zbritur radhazi në Shqipëri. Bajerni dhe Fejenordi të fundit në momentin e ndryshimit të sistemeve.
Sot Skënderbeu është një markë e momentit. 4 ture të kaluara – vetëm Skëndwrbeu dhe Makabi Tel Aviv jnë këtu që nga turi i parë – janë demonstrim force, dhe emra si Kairat, Mlada apo Dinamo Zagreb mund të mos tingëllojnë kaq joshës sa kundërshtarët e viteve 80’, por janë patjetër një barometër konsolidimi, nëse u referohemi historisë së tyre, buxheteve që kanë në dispozicion, ligave, ambientit ku luajnë dhe lojtarëve që kanë në përbërje.
Tani nis një kapitull i ri. Dinamo Kiev, fitues i Kupës së Kupave në sezonet 1974-75 e 1985-86, skuadër e cila ishte absolutisht më e mira e bllokut të lindjes deri në vitin ’90, është premiera e një fazë grupesh që do sjellë kujtime të së shkuarës – kujto Partizanin e Beogradit – dhe realitete të së tashmes, Jang Bojs. Në futbollin modern ndoshta gjërat e bujshme janë të vështira, por forca, impresioni, paratë, fama dhe vitrina e lojtarëve është një kënaqësi më vete.