Laçi do të ndeshet me skuadrën qipriote Anorthosis, në raundin e parë kualifikues të Europa Leagues. Skuadra e teknikut Besnik Prenga ka mbërritur që ditën e djeshme në Qipro, ku do të zhvillohet dhe ndeshja e parë.
Fakti që bëhej fjalë për një distancë të largët u mendua që udhëtimi të bëhej dy ditë para ndeshjes, kjo për të rikuperuar dhe energjitë para një ndeshje shumë të rëndësishme. Kjo lëvizje ishte e kushtëzuar dhe nga fakti se nuk kishte një linjë direkte fluturimi nga Tirana.
Skuadra edhe pse arriti dje në Qipro zhvilloi një stërvitje të lehtë. Sot, duket se ekipi është plotësisht gati dhe e ka marrë veten nga udhëtimi, ndaj i gjithë grupi së bashku me futbollistët nuk kanë nguruar që të sodisin dhe zonën ku po qëndrojnë, që premton peizazh mjaft të bukur. Laçi do të ndeshet nesër në orën 19:00 në transfetë, për të diskutuar më pas kualifikimin një javë më vonë në shtëpi. Edhe pse dihet se do të jetë një mision i vështirë, bardhezinjtë do të tentojnë surprizën e madhe.