Gjendja nuk paraqitet e qetë në klubin e Vushtrrisë. Dy prej lojtarëve të tyre kanë shfaqur simptoma të pandemisë Covid-19 dhe këtë e konfirmon vetë presidenti. Në Kosovë shiftrat e të prekurve me Koronavirus po shtohen ndjeshëm dhe duket se tashmë virusi po prek edhe futbollin. Kreu i klubit të Vushtrrisë ka thënë për “Insporti” se lojtarët kanë shfaqur shenja pas ndeshjes së fudnit, ndërsa tregon se njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.
“Dy futbollistë janë me simptoma të “Covid-19”, që të dyve ua janë shfaqur pas ndeshjes së fundit me KF Flamurtarin. Për momentin ata janë të izoluar por ne e kemi kuptuar vetëm pas ndeshjes, madje njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Ditëve në vijim pritet të testohen, por Federata e Futbollit të Kosovës duhet të merr masa dhe të testohemi të gjithë, së bashku me dy klubet që jemi përballur dy xhirot e fundit, që janë KF Ballkani dhe KF Flamurtari”, është shprehur Bajrush Kajtazi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/